Një tren pasagjerësh doli nga shinat në veri të Italisë, duke shkaktuar vdekjen e dy punëtorëve të hekurudhës dhe plagosjen e 27 pasagjerëve.
“Treni goditi një tren tjetër në shinat afër qytetit Lodi”, tha shefi i mbrojtjes civile, Angelo Borrelli, për radion shtetërore. Njëri prej viktimave është një inxhinier i trenave.
Sipas TV shtetëror, Rai, treni tjetër i përfshirë në aksident është një tren mallrash.
Borrelli tha se treni me shpejtësi të lartë, “Frecciarossa”, u nis nga Milano në 5:10 të mëngjesit me orën lokale dhe udhëtonte drejt jugut. Dy nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë, ndërsa 25 të tjerët kanë marrë plagë të lehta.
Treni po udhëtonte me rreth 180 kilometra në orë kur goditi trenin tjetër. Shkaqet e përplasjes po hetohen.



