
Avioni me të cilin është transportuar lideri opozitar rus, Aleksei Navalny ka ateruar në Berlin.
Navalny, që dyshohet se u helmua, u transportua nga qyteti siberian Omsk për në Berlin, për të marrë trajtim mjekësor.
Themeluesi i organizatës joqeveritare “Cinema for Peace”, avioni i së cilës barti Navanyn nga Rusia në Gjermani – Jaka Bizilij, tha se gjendja shëndetësore e opozitarit rus, është “stabile”.
“Gjendja e Navalnyit gjatë fluturimit dhe pas aterrimit është stabile”, tha ai për gazetën gjermane, Bild.
Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, po ashtu shkroi në Twitter se “avioni që barte Aleksein ka aterruar në Berlin”.
Fluturimi nga Rusia për në Gjermani u pengua që të ndodhte më parë, për shkak se autoritetet ruse deklaruan se Navalny nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore që të udhëtonte. Por, familja e tij dhe aleatët insistuan që ai të mjekohej jashtë vendit.
“Vështirësitë për jetën e Alekseit dhe shëndetit të tij sapo kanë filluar, por tashmë është bërë hapi i parë”, ka shkruar më herët në Twitter, zëdhënësja Kira Yarmysh.
Yarmysh publikoi një fotografi të Navalnyt teksa ai i vendosur në një barelë futet në avion së bashku me gruan e tij.
Navalny është në gjendje kome, që prej se u sëmurë pas dyshimeve për helmim më 20 gusht. Në momentin kur u sëmurë, ai ishte duke udhëtuar me avion nga qyteti siberian, Tomsk për në Moskë. Avioni me të cilin udhëtonte, më pas u detyrua që të bëjë një aterim urgjent në Omsk, që po ashtu gjendet në Siberi.
Familja e Navalnyt dhe aleatët e tij kanë luftuar që ta transferojnë atë në Gjermani për trajtim mjekësor, por doktorët rusë, që po e trajtonin, për orë të tëra refuzuan që ai të largohej nga spitali në Omsk, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte e mirë që ai të udhëtonte.
Por, më 21 gusht, zyrtari i lartë i spitalit në Omsk, Anatoly Kalinichenko u tha gazetarëve se Navalny mund të transferohet për në Gjermani, pasi gjendja e tij është stabilizuar.
Gruaja e Navalnyt, më herët i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të lejojë që burri i saj të transferohet në Gjermani për trajtim urgjent mjekësor.
“Zyrtarisht ju bëj thirrje ju (Putin) që të lejoni transportin e Navalnyt për në Gjermani”, deklaroi Yulia Navalnaya më 21 gusht.
Fillimisht, Kremlini deklaroi se vendimi për të mos lejuar transferimin e Navalnyt për në Gjermani ishte krejtësisht për shkaqe shëndetësore. Por, mbështetësit e Navalnyt argumentuan se autoritetet ruse po dëshirojnë që të blejnë kohë, në mënyrë që gjurmët e helmit të mos gjenden më në trupin e liderit opozitar, në kohën kur ai të transferohet jashtë vendit.
Pasi Navalny u lejua që të udhëtojë për në Gjermani, Qeveria gjermane tha se jeta e tij duhet të shpëtohet.
“Prioriteti kryesor është që jeta e zotit Navalny të shpëtohet dhe ai të shërohet”, tha zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert.
Ende nuk ka asnjë diagnozë të saktë për gjendjen e Navalnyt, por ekipi i tij dyshoh se ai është helmuar për shkak të aktiviteteve të tij.
Yarmysh beson se politikani opozitar u helmua, pasi në çajin që ai bleu në aeroportin e Tomsk, iu hodh diçka brenda.
Por, drejtori i spitalit në Omsk, Aleksandr Murakhovsky u ka thënë gazetarëve se gjendja e Navalnyt mund të jetë shkaktuar për shkak të çrregullimeve që kanë të bëjnë me metabolizmin.
“Sot kemi punuar në disa diagnoza. Kryesorja është … çrregullime në metabolizëm”, tha Murakhovky, duke shtuar se gjendja e Navalnyt mund të “shkaktohet me rënien e nivelit të sheqerit në gjak”.
Këto komente Murakhovsky i kishte bërë pari zëdhënësja Yarmysh, citoi një bashkëpunëtor të Navalnyt, Ivan Zhdanov, të ketë thënë se “një polic që ishte në spital, tha se në trupin e Aleksei është gjetur helm, që nuk është i rrezikshëm vetëm për të, por për të gjithë që janë përreth tij”.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që të nisin menjëherë hetimet lidhur me gjendjen e Navalnyt, i cili pak pasi u sëmurë, ra në gjendje kome.
“Jemi shumë të shqetësuar lidhur me shëndetin e Aleksei Navalnyt pas helmimit të dyshuar”, tha më 21 gusht, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrli.
Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, deklaroi më 20 gusht, se ishte “thellësisht i shqetësuar” lidhur me situatën me Navalnyn duke shtuar se mund të ndikojë në marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Navalny, i cli ka ekspozuar aferat korruptive në Rusi, edhe në të kaluarën ka qenë cak i sulmeve fizike.
Më 2017, ai ishte sulmuar me një kimikat, që i ishte hedhur në sy.



