
Presidenti amerikan, Donald Trump, kërkon nga vendet anëtare të NATO-s që të respektojnë objektivat e buxhetit, në të kundërt do të përballen me pasojat. Gjatë një takimi të enjten mes tij dhe sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg, Trump ka veçuar Gjermaninë si një vend që sipas tij nuk po bën mjaftueshëm në aspektin e buxhetit.
“Ka pasur vende që nuk kanë paguar aq sa duhej të paguanin. Tani shumica e vendeve e bëjnë. Dhe unë mendoj se ju do të jeni në gjendje të merreni me ato që nuk e bëjnë. E drejtë? Kam besim”, i tha ai sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.
Takimi Trump-Stoltenberg vjen në një kohë marrëdhëniet e SHBA-ve me aleatët europianë janë në një moment të veçantë, pas tërheqjes së palës amerikane nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe vendimi i Trumpit për taksuar importin e çelikut dhe aluminit.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha javën e shkuar se vendi i saj nuk do ta arrijë objektivin e caktuar për shpenzimet e NATO-s, duke e quajtur këtë një gjë “jo krejtësisht përtej imagjinatës”.
Trump i ka përmendur me emra vendet që kanë përmbushur objektivin e buxhetit: Polonia, Rumania, Estonia, Letonia, Lituania, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.
"Ata kanë paguar dhe e kanë bërë në kohë. Ata paguan shifrën që duhej të paguanin. Ne kemi disa që nuk bëjnë, dhe ata duhet të trajtohen”.
Për presidentin amerikan, shpenzimet në fushën e mbrojtjes në kuadër të NATO-s duhet të dyfishohen.
"Ne jemi ende në pritje të 20 shteteve anëtare për të përmbushur angazhimet e tyre të NATO-s dhe për të shpenzuar së paku 2 përqind në mbrojtje. Dhe 2 për qind është një shifër shumë i ulët. Numri me të vërtetë duhet të jetë 4 për qind", tha Trump.



