Kreu i sindikatës së pedagogëve në Elbasan, Altin Idrizi, përmes një prononcimi në MCN Live e konsideroi si të pamjaftueshme rritjen me 7 për qind të pagës së pedagogëve nga qeveria, duke theksuar se një masë e tillë nuk mjafton as për indeksimin e inflacionit.
Ai tha se rënia e numrit të studentëve ka qenë një nga arsyet e bojkotit të mësimit nga pedagogët. Idrizi theksoi se lëvizja e pedagogëve synon zgjimin e shoqërisë dhe qeverisë, që ta kthejë arsimin e lartë në prioritet kombëtar.
Kemi marrë një përgjigje të cunguar me minimalen e kërkesave që kemi pasur. Nuk bëhet fjalë vetëm për rritje rroge, por rritje të investimeve në arsimin e lartë në Shqipëri. Jemi dëshmitarë të një ikje masive të të rinjve nga vendi. Ne duam që përmes rritjes së investimeve në arsim, të rinjtë të mos shkojnë jashtë shtetit. Besoj që jeni në dijeni të rritjes së pagës me 7 për qind, por që ne e shikojmë si një rritje minimale, të pamjaftueshme. Ky 7 për qindsh nuk mjafton as për të indeksuar inflacionit. Që nga 2004 s’ka pasur rritje të pagave të punonjësve të universiteteve. Janë kërkesa minimale, kërkojmë që pagat të jenë të paktën në nivelin e rajonit. Nga kontaktet që kemi pasur me studentët, kanë qenë të gjithë në mbështetje të kërkesave të pedagogët. Ata e kuptojnë që këto kërkesa s’janë vetëm për pedagogët, por për të ardhmen e tyre. Na vjen shumë keq që këtë vit akademik duhet ta fillonim në këtë mënyrë, ndërkohë që duhet të ishte një ditë feste për studentët. Ne si sindikatë sot vendosëm që dy orët e para të ishim në dispozicion të studentëve që të hynin në fakultet, të merrnin orarin. Shpresoj që kërkesat do të plotësohen sa më shpejt, që ky bojkot të përfundojë sa më parë. Nuk kemi pasur asnjë lloj presioni. Nëse ndikimet do arrijnë deri te pedagogët, do të thotë që si shoqëri jemi në kushtet e mos ekzistencës. Numri i studentëve të regjistruar ka ardhur vazhdimisht në rënie. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore pse sindikata vendosi të ndërmarrë këtë nismë, që të zgjohet shoqëria, të zgjohet qeveria, që ta kthejë arsimin e lartë në prioritet kombëtar”.
Sjellim në vëmendje që 20 degë të Universitetit "Aleksandër Xhuvani" janë mbyllur këtë vit akademik, për shkak të mungesës së studentëve në degët përkatëse.



