
Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, thotë se delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës në dialog janë afër arritjes së marrëveshjes për disa dokumente.
"Pas 11 orësh negociata intensive dje, ne jemi afër arritjes së një marrëveshjeje për disa dokumente. Por siç ndodh shpesh, hapi i fundit është më i vështiri. Puna vazhdon", tha Lajçak.
Delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës kanë mbajtur dje një raund tjetër bisedimesh në nivel të negociatorëve kryesorë. Pas konsultimeve dypalëshe me ndërmjetësuesit e BE-së në dialog, të dy delegacionet nuk u ulën në të njëjtën tryezë.
Kryenegociatori i Beogradit, Petar Petkoviç, tha se Lajçak diskutoi për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, çështjet e energjisë dhe zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur.



