
Henri Haxhiraj është vetëm 26 vjeç dhe punon si bashkëpunëtor shkencor në parlamentin gjerman. Në një intervistë për Dw, djali nga Fieri analizon protestat e studentëve dhe mundësitë e plotësimit të kërkesave të tyre.
“Kërkesat e studenteve më duken të domosdoshme për një arsim cilësor. Duke qenë se në punën e përditshme ne Parlamentin Gjerman kam të bëj me ligje, është një gjë të formulosh 8 kërkesa, por është një tjetër gjë të formulosh një projektligj bazuar në këto 8 kërkesa. Ndaj mendoj se studentët duhet të konsultohen edhe me ekspertë për anën teknike, në mënyrë që të shmangin çfarëdolloj pasoje negative të mëvonshme. Neni 81, pika 1 e Kushtetutës e lejon edhe propozimin e një ligji nga 20 mijë zgjedhës. Ndoshta do të ishte një alternativë”, shprehet ai.
Për Haxhirajn, kërkesa më e vështirë për t’u realizuar është pika që kërkon për arsimin 5% të buxhetit. “Këtu mendoj se duhet bërë një analizë më e thelluar për të parë se çfarë pasojash do të kishte kjo rritje për zërat e tjerë të parashikuara në buxhet. Ndoshta një mundësi do të ishte implementimi i saj në disa hapa. Për ta mbyllur, mendoj se kërkesat janë të realizueshme, por duhet pasur kujdes në formulimin dhe implementimin e tyre, nëse këto pika përfshihen në një projektligj”.
Vetë Haxhiraj ka studiuar në Fakultetin Ekonomik, ku thotë është përballur me shumë gjëra që nuk funksionojnë siç duhet.
“Nuk e kam për turp të them që kam qenë ngelës gjate studimeve bachelor në Fakultetin e Ekonomisë. Padyshim qe përgjegjësia kryesore ka qenë e imja, por shume gjëra në atë Fakultet, në gjykimin tim, nuk funksionojnë siç duhet. Nga shpërndarja e informacionit, tek marrëdhënia me profesorët, tek vlerësimi, tek mësimdhënia etj. Ne studionim me një kurrikul që analizonte biznesin e para 30 viteve dhe ato njohuri nuk ishin fare të nevojshme në tregun aktual. Megjithatë, aty kam njohur edhe profesorë të shkëlqyer, të cilët përpos kushteve te këqija, pagesës së ulët dhe burokracisë së panevojshme, kanë zhvilluar një mësimdhënie shembullore”, thotë ai.



