
Nga PhD. Klodian Muço
Çdo fund viti siç e do tradita së bashku me urimet individët, bizneset dhe qeveria bëjnë bilancin e vitit që po lënë pas. Kjo jo vetëm si detyrim ligjor por për faktin që mënyra më e mirë për të parashikuar dhe programuar të ardhmen është studimi i të kaluarës për të evidentuar problemet e pa zgjidhuara dhe për ta nisur vitin e ri me më tepër optimizëm dhe shpresë.
Në fakt ardhja e vitit të ri në Shqipëri në këto 26 vitet e fundit nuk është i shoqëruar me optimizëm dhe shpresë, për ta mbyllur njëherë e përgjithmonë të kaluarën e për ta rinisur nga e para të ardhmen.
PhD. Klodian Muço
Koha nuk ndalon as nuk rifillon. Është më tepër një rrjedhje e vazhdueshme, një lloj relativizmi në të cilin të gjitha faktet e përfshira dhe të perceptuara si të përkohshme, janë rezultat i marrdhënieve të mëparshme të ndërthuruara me eventet dhe memorien e së kaluarës. Ditët, muajt apo vitet krijojnë thjesht një iluzion se ngjarjet apo vendimet e mara nuk kanë konseguenca, ato thjesht nisin e mbarojnë.
Përsa i përket vitit 2018, mund të themi me bindje se edhe pse patëm një rritje ekonomike mbi pritshmëritë, ky vit u karakterizua nga një mungesë e rritjes së mirqënies me një impakt negativ në territorin Shqiptar. Kjo rritje pa zhvillim ka shkaktuar pabarazi duke stimuluar edhe më tepër emigracionin si e vetmja mundësi për një të ardhme dinjitoze si dhe ka rritur edhe më tepër kostot e jetesës duke i bërë të varfërit edhe më të varfër. Sigurisht ky rezultat nuk është falë impaktit pozitiv apo negativ të reformave të ndërmarra në vitet e fundit në Shqipëri, shkaqet janë nga më të ndryshmet.
Disa nga reformat e ndërmara nga qeveria edhe pse ishin të nevojshme apo të pa evitueshme, këto reforma të bashkuara edhe me gjendjen ekonomiko-sociale të vendit patën midis shumë efekteve edhe ata psikologjik, të pasigurisë për të nesërmen.
Në Shqipëri përgjatë 2018 u vu re një rritje e depozitave në valutë dhe rritje e sektorit ndërtimor e shoqëruar pa rritje të kreditimit. Kjo dukuri ndodh kryesisht nga perspektiva e investitorëve vizionarë për të nesërmen dhe nga prezenca e madhe e likuiditetit jashtë sektorit bankar si dhe nga prezenca e ekonomisë së zezë.
Viti që sapo lamë mbas do mbahet mend për rritjen eksponenciale të kostove të ndërtimit të rrugëve duke e renditur Shqipërinë në vendet me koston më të lartë për ndërtimin e një km rruge. Për më tepër me një skemë që gjithë vendet e zhvilluara i kanë “kthyer kurrizin”.
Bie në sy po ashtu “privatizimi” në masë i shërbimeve publike, duke ja kaluar këto të fundit privatit.
E gjitha kjo nuk ka tërhequr aspak interesin e investitorëve të huaj.
2018-ta do të mbahet mënd për uljen e taksave për të pasurit dhe rritjen e taksave për të varfërit.
Fokusi gjithmonë duhet të jetë tek mirqënia, tek stimulimi i konsumit dhe rritja e bizneseve të vogla. Komponenti primar i GDP-së është konsumi, po u dëmtua ky i fundit s’kanë më sens të ekzistojnë dhe bizneset e mëdha.
Viti 2018 do mbahet mend gjithashtu për protestat e studentëve, e dyta herë që ndodh ky event në Shqipëri përgjatë tranzicionit. Herën e parë sollën ndryshim dhe shpresë për të nesërmen. Le të shpresojmë se edhe kësaj here kjo do të jetë fillimi i një ndryshimi të madh.
Viti 2018 do të mbahet mend për punën aspak serioze të KVO tek APP-ja i cili nxjerr fituese firma fantazmë pa asnjë të kaluar dhe eksperiencë për vepra publike të rëndësishme.
Për sa i përket vitit 2019 është e vështirë të bësh parashikime reale, pasi një vend si Shqipëria nuk ta mundëson diçka të tillë. Gjithsesi mund të reflektohet mbi ndryshimet e sotme që mund të influencojnë ngjarjet e së nesërmes.
Në 2019 norma e rritjen së GDP-së parashikohet të jetë 4.3%, me një rritje të lehtë në raport me atë të 2018, kjo rritje do të mbështetet përsëri te kontributi pozitiv i kërkesës së brëndshme e cila do të ndihmohet pozitivisht nga paketa fiskale e 2019.
Rritja e rrogës minimale është shumë pozitive për konsumatorët.
Eksportet do të japin një kontribut ndoshta edhe më të vogël për rritjen ekonomike sa kanë dhënë në vitet para ardhëse. Forcimi i vazhduar i lekut në raport me euron dhe dollarin “paralizon” eksportet.
Inflacioni parashikohet të ketë një tendencë rritëse për 2019 megjithatë do të jetë i kontrollueshëm.
Të ardhurat fiskale do të kenë tendencë rritëse kjo për shkak të vendosjes së tatimit mbi pagat minimale dhe uljen e taksës së dividentit, kjo e fundit me siguri do të rrisi shpërndarjet e tyre e si konseguencë rritjen e të ardhurave fiskale.
Rritja e të ardhurave fiskale dhe e GDP-së do ndikojë në uljen e ndjeshme të borxhit publik sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave edhe pse kjo ngelet për tu parë.
Një aspekt pozitiv për 2019 është premtimi i Kryeministrit për futjen në administratën publike të të rinjve me mesatare të lartë. Ky është një aspekt pozitiv pasi do të rrisi sado pak cilësinë e personave që punojnë në administratën publike edhe pse për mendimin tim duhet vendosur gjithsesi me ligj një notë minimale për tu bërë pjesë e institucioneve të rëndësishme në të ardhmen, për të gjithë. Në Itali psh. nuk mund të fillosh punë në një institucion publik të rëndësishëm nëse mesataren e notave universitare nuk e ke mbi 9,5.
Për të konkluduar mund të them se duke patur parasysh paketën fiskale dhe projekt-buxhetin për 2019, qeveria ka vendosur që investimet në infrastrukturë të bëhen kryesisht me PPP, kjo do të ulë borxhin për 2019 por do ta çojë atë me siguri në mbi 80% në vitet në vijim. Qeveria kërkon po ashtu investitorë të huaj dhe rritjen e punësimit vendas por nuk ndjek politika të ngjashme me ato të Serbisë, Rumanisë, Kroacisë, etj., që janë të gatshëm të paguajnë për çdo vend pune që hapet nga të huajt. Ndërsa tek ne, investitorët e huaj jo vetëm që nuk kanë avantazhe specifike të kësaj natyre por hasin edhe shumë vështirësi nga burokracia e tepruar.
Për këtë arsye mund të them se për të rritur punësimin dhe investimet për 2019 do të jetë një mision, sa i vështirë po aq edhe kompleks, pasi nevojitet një mirëfunksionim i administratës dhe i strukturave të pushtetit qëndror dhe vendor për të ulur shpërdorimet dhe për të rritur efikasitetin.



