Trupat e pajetë të dy vëllezërve Olldashi janë gjetur në një kanal.
Ka qenë një banor i zonës, i cili i gjeti trupat e Andi dhe Martin Olldashit, 33 dhe 31 vjeç.
Guri Shuli rrëfen sesi e zbuloi njërën nga kufomat në kanal, teksa kthehej nga puna.
“Po kthehesha nga puna. Kanali ishte i mbuluar, fillimisht pashë njërin. Pashë një krah të zbuluar Njoftova policinë, ata gjetën edhe trupin tjetër. Kishin në trup plagë me armë zjarri”, thotë ai.
Ndërkohë nëna e dy djemve Andi dhe Martin Olldashi, të cilët u gjetën të vrarë me armë zjarri në një fshat të Maliqit, pretendon se djemtë e saj nuk kishin probleme me njeri.
Nëna e viktimave kërkoi që të gjenden autorët që vranë dy djemtë e saj, ndërsa fqinjët e tyre gjithashtu bëjnë me dije se të rinjtë ishin joproblematikë.
“Nuk e di do të gjenden apo jo autorët. Unë me hasëm nuk i kisha atë le ta gjejë shteti. Për djemtë e mi le të pyesin pallatin. Telefonat i kishin të fikur, humbëm kontaktet në orën 22 të datës 7 dhjetor” – shprehet nëna e të rinjve.
Dy të rinjtë u gjetën të vrarë pasditen e sotme, pasi kishin tre ditë të zhdukur nga shtëpia. Pista kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes por nuk përjashtohet as një konflikt i çastit.



