Kryeministri Edi Rama, për situatën në Veri të Kosovës deklaroi se e ka ditur prej kohësh se nyja gordiane do të jetë asociacioni i komunave serbe, ndonëse tha se asnjëra nga palët nuk e do dhe duan ta shtyjnë në pafundësi, duke lënë të hapur krizën.
Në një konferencë për mediat ditën e sotme, Rama tha se krijimi i asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e pranimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në OKB dhe në të gjitha forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë.
Dje i kam përcjellë Presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, dy kumbarët e planit franko-gjerman, një draft të punuar nga ekspertë të pavarur të nivelit më të lartë amerikanë dhe europianë prej kohësh për asociacionin, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kur palët dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës jo i Serbisë që bën atë që ka bërë herë të tjera, palët nuk po merren vesh se kush do shkruajë tekstin.
Ky është një dokument konfidencial i cili padiskutim nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj se merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe se asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës dhe bazuar në rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Uroj që ky material të shërbejë për të çuar në nivel tjetër dialogu dhe për t'i bërë palët të flasin për gjëra konkrete dhe përfundimin e dialogut.
Situata po bëhet alarmante dhe unë nuk mund të qëndrojë si spektator dhe të shohë se si Kosova tkurret e tkurret në sytë e aleatëve.
Jam i shqetësuar për tonet ultimative të aleatëve gjë që mund të sjellë pasoja dramatike në shumë aspekte, duke filluar nga rritja e pranisë së trupave në Kosovë që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës.
Uroj që Kosova të mos shkojë nën kontrollin e trupave të huaja, gjë që do të ishte e tmerrshme për interesat tona.
Nuk është fati i Albin Kurtit në lojë, por i Republikës së Kosovës si e tërë.
Unë nuk fajësoj Albin Kurtin, atë e fajëson bota e tërë demokratike me emër dhe me mbiemër dhe unë e shoh me keqardhje se pse duhet të ndodhë kështu.
Rama tha se duhen shpallur zgjedhje sa më parë dhe se policia duhet të tërhiqet menjëherë nga godinat e komunave, madje shtoi se ndërkombëtarët janë të domosdoshëm edhe për disa kohë.
Ajo që mund të ndodhë është shumë e rëndë nëse trupat e huaja marrin kontrollin e Veriut të Kosovës.
Një asociacion brenda kornizës kushtetuese të Kosovës dhe në sinkron me pritshmëritë e komunitetit demokratik që i jep vetëadministrim atyre që e përbëjnë, pa e vënë në diskutim autoritetin e shtetit të Kosovës dhe që gjen miratimin e Gjykatës Kushtetuese, është ajo që i duhet Kosovës.
Të tjerat janë dokrra që mund t'a kthejnë Kosovën në kohën e bronzit. Është e gjithë bota që do të mirën e Kosovës.



