Atë e njohin të gjithë si ylli i filmit “Matrix”. Por pavarësisht shkëlqimit që të jep Hollivudi dhe famës së fituar me talent, aktori Keanu Reeves ka një histori të trishtë.
Në moshën 3-vjeçare, babai i tij u largua nga shtëpia. Më vonë, në shkollë të mesme, ai ndërroi katër shkolla të mesme dhe pati probleme për shkak të disleksisë. Në moshën 23-vjeçare humbi mikun e ngushtë nga overdoza.
Në vitin 1998, ai u dashurua me Jennifer Syme. Një vit më pas, ata ishin në pritje të një fëmije, por në muajin e tetë të shtatzënisë, Jennifer pati një abort spontan. Të shkatërruar nga humbja e fëmijës, ata vendosën të ndaheshin. Vetëm 18 muaj më vonë, Jennifer vdiq në një aksiden me makinë.
“Dhembja ndryshon formë, por nuk mbaron kurrë”, i tha Reeves revistës “Parade Magazine" në vitin 2006.
Pak kohë më vonë, motra e tij u sëmur nga leucemia. Ai dhuroi 70 % të të ardhurave të filmit “Matrix” për spitalin që kuronte këtë sëmundje.
Pavarësisht humbjeve në jetën personale, Reeves vijon të jetë një yll i ekranit dhe një njeri i pasur. Por dhimbja për njerëzit e dashur e ka ndryshuar perceptimin e tij për paranë. Ai njihet në Hollivud si një nga aktorët më bamirës. Në vitin 2003, Reeves është shprehur në një intervistë: “Paraja është gjëja e fundit që më shqetëson. Mund të jetoj edhe disa shekuj me aq para sa kam bërë deri tani”.
Edhe pse vlen 100 milionë dollarë, aktori udhëton me linjat e metrosë, i përshëndet të gjithë dhe nuk shquhet për veshje të shtrenjta.



