Eksperti i ekonomisë Igli Tola theksoi në “Mcn Economy” që turizmi duhet të shihet në mënyrë strategjike, në mënyrë që të kapitalizohet dhe të kthehet në rritje ekonomike për vendin. Sipas Tolës shqetësimi kryesor në Shqipëri në raport me sektorin në fjalë duhet të jetë sa i qëndrueshëm do të jetë ky turizëm në të ardhmen. Ai shtoi se duhet investuar në mënyrë strategjike që turistët të kthehen.
"Mbi 10 milionë turistë të paktën të regjistruar. Kontribuon deri diku te një vlerë, diku te 4 miliardë euro, që është një vlerë e konsiderueshme në raport volumi për GDP, por në raport me numrin e turistëve nuk përkthehet në vlerë konkrete. Që të kapitalizohet, të kthehet në rritje ekonomike, rritje punësimi, konsumi, duhet parë në mënyrë strategjike. Duhet të shohim infrastrukturën, shërbimet, krahun e punës, pagesat, të gjitha duke u parë në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, do ta bënin të mundur që gjithë ky fluks turistik që ndodhi, të sjellë të ardhura më të larta për ekonominë. Ajo që është më për t’u shqetësuar është sa i qëndrueshëm është ky turizëm. Sa të sigurt jemi që do t’i mbajmë këto vlera. Ndoshta Shqipëria do jetë atraksion 2-3, apo 5 vjet dhe pastaj do zhduket nga harta turistike, siç ka ndodhur në vende të tjera. Duhet investuar në mënyrë strategjike që turistët të kthehen”.



