
Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e KPK, për shkarkim nga detyra për prokurorin pranë Prokurorisë së Apelit të Durrësit, Bujar Hotin. Në mbledhjen e sotme, trupa gjykuese e kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarët Luan Daci, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz vendosën shkarkimin nga detyra të Hotit, për shkak të fshehjes të pasurisë.
Sipas raportit në ILDKPI, Hoti kishte bërë deklarim të saktë pasuror, por sipas KPK-së prokurori nuk ka justifikuar dot mijëra metra tokë buzë detit, kontratat fiktive, apartamentet me kredi dhe udhëtimet e bashkëshortes. Sa i përket aftësive profesionale, DSIK e cilësoi Hotin si të përshtatshëm për të vazhduar detyrën e tij si prokuror.
Vendimi i KPA:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Albana Shtylla relatore, Luan Daci, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.31/2018, datë 06.11.2018, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Bujar Hoti kundër vendimit nr. 64, datë 10.09.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi në mënyre unanime:
Lënien në fuqi të vendimit nr.64, datë 10.09.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Bujar Hoti.



