
Me rihapjen e shkollave, do të rritet edhe fiziologjikisht numri i rasteve të reja me koronavirus, pohon përmes Skype në edicionin e lajmeve në TvT, shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.
“Numri i thirrjeve ka rënë në krahasim me gjithë periudhën e pandemisë, jemi në shifrat më të ulta, të cilat po i anlalizojmë, në këtë moment nuk ka shqetësime, porse tashmë shkollat janë hapur, dhe duhet minimumi 3-4 javë, që të shohim rezultatet e shtimit të rasteve, rezultatet besoj do të shtohen nga mesi i tetorit. Se sa ka ndryshuar përqindja e përhapjes së infeksionit është fiziologjike dhe normale që do të rritet, sepse ulja e temperaturave, futja në ambiente të mbyllura, do të çojë në rritjen e numrit të të infektuarve, për këtë jemi të ndërgjegjshëm sepse kjo dihet, por ajo që themi është menaxhimi, të qëndrojmë brenda caqeve të menaxhimit normal, brenda normave".
Brataj këmbëngul që respektimi i masave antiCovid tashmë më shumë se kurrë duhet respektuar, sepse në kohën kur deri tani për shkak të kushteve klimatike të mira, më shumë rrihej jashtë, me uljen e temperaturave, njerëzit rendin të futen në ambinente të mbyllura, çka do të na penalizojë në masë të madhe me shtim të rasteve të të infektuarve.
“Deri tani, kushtet atmosferike deri në një masë ishin në disfavor të virusit, kurse tani fillon vjeshta dhe po ulet temperatura dhe ne futemi brenda, dhe për këtë arsye po studiohen protokollet e sigurisë në ambiente të mbyllura, që do të ndikojnë në shtimin e numrit të rasteve, dhe patjetër që do të ketë më shumë sepse jane kushtet që e bëjnë atë, ne duhet të bashkëjetojmë me virusin. Maska ka luajtur një rol shumë të rëndsishëm, kurse tani janë armët më të fuqishme që të marrim masa të mbrojmë veten, duhet t'i repsektojmë ato dhe të vazhdojmë besimin te shëndetësia shqiptare”.
Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, shprehet optimist që tashmë Ministria e Shëndetësisë firmosi marrëveshjen me Kovaks për sigurimin e vaksinës antikovid. Ai pohoi se në varësi edhe të zhvillimeve parashikohet një vaksinim në mënyrë të kategorizuar për grupet me vulnerable, siç janë moshat e treta, të sëmurët kronikë dhe moshat pediatrike që janë më të prekshëm karshi virusit.
“Për fatin e mirë, Shqipëria u fut në programin Kovaks, ku janë përfshirë mbi 80 shtete, e dimë që janë mbi 10 vaksina në studim, por deri tani 20 janë në fazën e fundit të aprovimit të provës klinike. Kur të vijë vaksina, normalisht që do të trajtohen grupmoshat më vulnerable, moshat e treta, të sëmurët kronikë, moshat pediatrike, që janë më të prekshme karshi virusit. Normalisht vaksinimi do të ndjekë të njëjtat principe, së pari do të vaksinohet personeli mjekësor. Jam fuqiplotë në besimin e kësaj vaksine, që do të ndihmonte në këtë situatë”.



