
Në një draft të ri të depozituar në Kuvend nga shoqëria civile dhe Partia e Lirisë, propozohen një sërë ndryshimesh në Kodin Penal lidhur me abuzimet seksuale me të miturit.
Në draft propozohet dënimi nga 10 deri në 15 vite burg për veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me fëmijët nën moshën 16 vjeç.
Kryerja e veprimeve apo marrëdhënies seksuale me fëmijën, që nuk ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me çdo mjet ose formë, nga i rrituri, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë vjet”.
Po ashtu shtohet neni 100/a që parashikon shtytjen e fëmijës për të kryer veprime me natyrë seksuale për një të rritur (grooming).
Nxitja, joshja, shtytja, mashtrimi ose manipulimi i fëmijës nën gjashtëmbëdhjetë vjeç, nga i rrituri, me çdo mjet ose formë, për të kryer veprime ose marrëdhënie seksuale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga shtatë deri në dhjetë vjet”.
Ndërsa neni 100/b dënon komunikimin me mesazhe për qëllime seksuale (sexting). “komunikimi me fëmijën nën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me mesazhe, foto apo video, me çdo mjet ose formë, që kanë qëllime ose natyrë seksuale, nga personi që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 3 vjet”.
Neni 117 prek pornografinë te të miturit ku i mbron nga shfrytëzimi seksual dhe regjistrimet me figurë, imazh dhe me zë.
Mbajtja, prodhimi, shfaqja, lejimi, ofrimi, shpërndarja, transmetimi, reklamimi, importimi, shitja apo botimi i materialeve pornografike në mjedise ku ka fëmijë nën moshën 18 vjeç, me çdo mjet ose formë, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në shtatë vjet”.
Këto ndryshime në Kodin Penal vijnë në një kohë kur në vetëm një muaj 6 të mitura ranë pre e krimeve seksuale në vend.



