Vendimi që dha sot Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut për rastin e gjyqtares Altina Xhoxhaj ngre një pikëpyetje të madhe, pas disa detajeve që zbuloi në studion e MCN TV gazetari Artur Çani. Gjykata me seli në Strasburg la sot në fuqi vendimin e KPA për skualifikimin e Altina Xhoxhajt, duke e cilësuar kështu të drejtë të gjithë procedurën e vetingut, të cilës ajo i është nënshtruar.
Por sipas gazetarit Artur Çani, pjesë e trupës që ka marrë vendimin në Strasburg është edhe një gjyqtar, që ndodhet në konflikt interesi lidhur me rastin. Fjala është për Darian Pavlin, pjesë e trupës gjykuese që ka shqyrtuar çështjen në Strasburg, por dikur ish-vartës i Albana Shtyllës, njëra prej pesë anëtareve të KPA-së, që ka skualifikuar Xhoxhajn, e cila më pas e ka kërkuar të drejtën e saj në Gjykatën e Strasburgut.
“Unë sot jam zhgënjyer në një masë të madhe. Që të jem i sinqertë, nuk mendoj që në botë ka njerëz absolutë. Ndershmëria absolute nuk ekziston. Edhe Gjykata e Strasburgut nuk janë të ardhur nga qielli. Mendoj se ka një lloj tolerance. Pasi Komisioni Europian çon një letër të gjatë që thotë “reforma në drejtësi është gjë e mirë dhe kini kujdes kur jepni vendime për këto”, edhe deri këtu e kuptoj. Por më duket si ajo ndeshja në fushën tënde, që ke avantazh se ke publikun me vete. Por të arrihet deri aty sa të blesh arbitrin, nuk më kishte shkuar mendja. Kam filluar të kem dyshime serioze ndaj Gjykatës së Strasburgut.
Në trupën gjykuese ishte edhe një gjyqtar shqiptar: Darian Pavli. Në gjykimin tim të parë, meqë kjo është kundër shtetit tim, do të tërhiqesha. Ky nuk plotëson kushtet minimale. Po të ishte subjek i vetingut në Shqipëri, do ta kishin bërë copë me këtë që ka bërë sot. Ai ka gjykuar çështjen e Xhoxhajt kundër shtetit shqiptar dhe kundër një vendimi të KPK, ku në trupin gjykues ka qenë gjyqtarja Albana Shtylla. Kjo është skema e sekretariatit teknik të reformës në drejtësi.
Sipas Çanit, rasti në fjalë përbën konflikt interesi dhe Pavli duhej ta kishte deklaruar këtë pa marrë ende në shqyrtim çështjen. Kjo sipas gazetarit ngre pikëpyetje në lidhje me ankesa të tjera që mund të mbërrijnë në Strasburg për shkarkim të padrejtë nga vetingu.
“Ai duhej të thoshte se kam konflikt interesi. Ai dosjen e ka shqyrtuar dhe ka pasur kohë. Këtu ka dyshim. Unë do të merrem me këtë çështje. Është një pikë e errët në vazhdimësinë e përgjithshme. Lidhur me reformën, Këshilli i Europës mund ta dijë shumë mirë, por më mirë se ne nuk e di. Kjo nuk është bërë për të përmirësuar drejtësinë, por për ta pasur nën kontroll ata që kanë pushtetin. Nuk e di se ç’do të bëhet me ata që vijnë më mbrapa”, përfundoi ai.



