
1 Maji është pritur me protesta nga sindikatat e mësuesve të cilët kërkojnë paga më të larta dhe kushte të mira pune. Ata bënë thirrje për marrjen e masave nga qeveria pasi vendi rrezikon të mbesë pa mësues.
Zv. presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Isa Halilaj tha në studion e lajmeve të MCN Tv se protesta mori shkak edhe nga rezultatet e dobëta të testit të PISA-s.
Duke vijuar më tej, Halilaj theksoi se edhe dyfishimi i pagave është i pamjaftueshëm.
Këshilli Kombëtar i sindikatës sonë mori vendim të protestohet dhe kjo mori shkak dhe nga rezultatet e dobëta të PISA-s që pati bujë dhe tek partnerët ndërkombëtarë.
Arsimi cilësor nuk mund të ketë mësues të papaguar. Kërkojmë të kthehen sytë tek arsimi. Në Shqipëri buxheti nuk është as 3% e GDP-së kur në botë është 5%.
Po nuk pati një buxhet të mirë nuk mund të kemi as rroga të mira as kushte pune. Po na krijohet dystandardizimi i shkollave. Duhet të jetë i njëjti standard nga Konispoli në Vermosh.
Një mësues merr 600 mijë lekë të vjetra, gjë që një çifti mësuesish nuk ja krijojnë mundësinë të kalojnë një javë pushimesh në Himarë.
Ne nuk kemi pasur rritje rrogash, por indeksim për shkak të inflacionit. Edhe dyfishimi i rrogave është i pamjaftueshëm. Kemi mungesë mësuesish në qendër, imagjino çfarë ndodh në fshatra.
Më tej, Halilaj tha se në Tiranë kemi mungesë për mësues të arsimit parashkollor, ndërkohë që në zonat e tjera kemi mungesë të mësuesve të matematikës, fizikës dhe gjuhës së huaj.
Në Tiranë kemi mungesa për mësues të arsimit parashkollor, që është fazë e rëndësishme dhe për arsimin fillor. Në zonat e tjera kemi mungesë të mësuesve të matematikës, fizikës dhe gjuhës së huaj.
Mungesë të mësuesve kanë dhe vendet e tjera, por ata nuk e kanë për shkak të rrogës, por për shkak të vështirësisë. Në Shqipëri përveç vështirësisë së profesionit kemi dhe problemet e pagës.



