Kristi Balukja humbi jetën mëngjesin e sotëm në qytetin e Elbasanit, ndërsa tentoi t’i vendosë tritol makinës së shtetasit Renato Çepa. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV gazetari Sokol Bregu konsideroi problematike mënyrën si tregtohen këto bomba, kryesisht në zonën e Kurbinit, të ndërtuara në mënyrë amatore. Bregu tha se është e vështirë të gjesh kujt do t’i bëhet atentat, por nuk është e vështirë të gjenden ku prodhohen këto bomba.
“Është një konflikt personal midis dy personave. Policia po heton pse janë konfliktuar. Mendohet se janë trafiqet. Këto janë konflikti kryesor, dhe lidhja me ndonjë pagesë të prapambetur. Por duhet të presim, sepse edhe shënjestra e atentatit po merret në pyetje. Gjëja e parë që të shkon nëpër mend është që lidhet me mekanizmat e bombës, si janë të ndërtuara. Bombat ndërtohen në qarkun e Lezhës, Kurbinit. Lidhet me një celular, vendoset C4 dhe mekanizmi do një dridhje për t’u aktivizuar. Në rastin e mëparshëm mendohet se ishte një mesazh telefonik i ardhur në celularin e viktimës që e bëri të shpërthejë. E njëjta gjë duhet të ketë qenë edhe në këtë rast. Sipas informacionet që ka policia ato kushtojnë nga 7-10 mijë euro. E rëndësishme është sa shpejt dhe sa kollaj mund të gjenden bomba të tilla artizanale në Shqipëri. Edhe pse kushtojnë goxha, prapë mund të jenë në duart e gjithsecilit. Amator janë ata që i prodhojnë, amatorë janë ata që i vendosin. Ata që janë mjeshtra përdorin tritol të thjeshtë, pa mekanizma të tillë, ose në distancë. E dërgon sinjalin ndryshe që e aktivizon. Duhet të ketë qenë për herë të parë autori. S’ka mundur ta falë rrahjen. Është shumë e vështirë të gjesh kush do vritet, por s’është e vështirë të gjenden ku prodhohen këto bomba artizanale dhe të bëhet bllokimi i tyre. Një kontroll më i plotë do bënte që mos kishim kaq shumë lëndë eksplozive”.
Bregu tha që policia e di që Çepa është pjesë e një grupi kriminal, por nuk ka provat për ta faktuar.



