Presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë se mendon se do ta kishte mundur Donald Trump dhe do të ishte rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë në muajin nëntor.
Duke folur për USA Today në një intervistë ekskluzive, Biden, shtoi se nuk ishte i sigurt nëse do të kishte qëndrueshmëri për një mandat tjetër katërvjeçar.

Deri tani, shumë mirë. Por kush e di se çfarë do të bëhem kur të jem 86 vjeç?
Ai tha gjithashtu se ai po konsideronte ende falje parandaluese për armiqtë e Donald Trump, duke përfshirë ish-kongresmenen republikane Liz Cheney dhe ish-zyrtarin e lartë shëndetësor Anthony Fauci.
Biden deklaroi se ai kishte qenë shumë i drejtpërdrejtë me Trump në lidhje me faljet e mundshme gjatë takimit të tyre në Zyrën Ovale menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit.
Po ashtu tha se vendimi i tij përfundimtar do të varet nga kë zgjedh Trump për kabinetin e tij.
Në intervistë, presidenti në largim mbrojti gjithashtu faljen e plotë dhe të pakushtëzuar që i dha djalit të tij, Hunter Biden, i cili po përballej me dënimin për dy çështje penale evazion fiskal dhe blerja e paligjshme e armës.
Biden, i cili erdhi për herë të parë në Capitol Hill në 1972 si senator amerikan, ngjalli kritika nga partia e tij për hezitimin e dukshëm për të hequr dorë nga gara presidenciale pas shqetësimeve për moshën dhe mprehtësinë mendore të tij.
Duke folur për USA Today, Biden tha se bazuar në sondazhe ai besonte se do të kishte fituar, por pranoi se mosha e tij mund të ketë ndikuar.
Kur Trump kandidoi përsëri për rizgjedhje, mendova se kisha shanset më të mira për ta mposhtur.
Por gjithashtu nuk kërkoja të bëhesha president kur isha 85 vjeç, 86 vjeç. Por unë nuk e di. Kush dreqin e di?
Pas humbjes së Zëvendës Presidentes Kamala Harris ndaj Trump, anëtarë të rangut të lartë të Partisë Demokratike, si ish-kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi, kanë thënë se demokratët mund të kishin dalë më mirë në zgjedhje nëse Biden do të dilte më shpejt nga gara.



