
Presidenti i Kosovës ka reaguar përsëri për debatet e fundit në lidhje me shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Kreu i shtetit deklaroi se nisma e deputetëve për Gjykatën Speciale nuk është një kërkesë për të sfiduar gjykatën, por është alternativë.
“Nisma e deputetëve për Gjykatën Speciale nuk është një kërkesë për të sfiduar gjykatën, por është alternativë, sikurse që kanë edhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë: Kroacia, Bosnja dhe Serbia. Unë nuk i inkurajoj deputetët, por çdo vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës unë do ta kryej me obligim dhe do ta nënshkruaj. Nëse nuk e nënshkruaj, natyrisht se do të bëja shkelje kushtetuese. Kështu që, nuk e shkeli Kushtetutën, pavarësisht deklarimeve të kujtdo qoftë", ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në këtë intervistë, Thaçi u bën thirrje deputetëve që me urgjencë ta ratifikojnë Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe ta evitojnë izolimin e mëtutjeshëm të Kosovës.
"Mendoj se ne duhet ta kalojmë Demarkacionin sa më shpejt, duhet ta themelojmë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe të lëvizim drejt liberalizimit të vizave. Nëse kjo nuk ndodh gjatë muajit janar, Kosova do të vazhdojë të mbetet e izoluar. Bashkimi Evropian e ka vendosur kusht Demarkacionin, duke i ditur vështirësitë që i kemi për ta tejkaluar, por dëshiroj të besoj në pjekurinë e skenës politike kosovare dhe në janar do të përmbyllet", theksoi Thaçi.
Ndërkaq, në lidhje me dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi shprehet se është i gatshëm t’i prijë edhe fazës finale deri në njohjen reciproke mes dy vendeve.



