Në redaksinë e emisionit “Xhadat” mbërriti denoncimi i qytetarit Fredi Leka i cili kishte blerë një produkt anti-lehje për të trembur qentë e rrugës. Ai u shpreh se produktin e kishte porositur online në një faqe me adresë në Kosovë. Produkti ka kushtuar 15 euro së bashku me transportin e ardhur nga Kosova, por nuk funksionon. Denoncuesi tregon se sa herë që e provon atë tek kafshët e rrugës gjatë ecjes me motoçikletë e tij, qentë jo vetëm që nuk largohen por i kanosen më tepër.
Për ta vërtetuar këtë, gazetari i “Xhadave”, Andi Llabuti, bëri provat e tij e pas testit me katër qen, rezultoi e njëjta gjë. Pajisja me ultratinguj nuk i zmbraps qentë. Pas provave redaksia investigative i dërgoi një mesazh faqes së shitjeve online “Ema Online Shop” duke kërkuar kthimin mbrapsht të produktit dhe lekëve, gjë të cilën më herët e kishte kërkuar edhe denoncuesi.
Por faqja online në të dy rastet, nuk reagoi. “Xhadat” e gjeti këtë produkt në faqet ndërkombëtare online me çmim 10 fish më të lirë. Por nuk është ky problemi. Ky rast si dhe shumë të tjerë që denoncohen çdo ditë, tregon se tregu online mbetet jashtë çdo kontrolli.



