Dy ditë pas zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave, nënkryetari i sapozgjedhur ka dhënë dorëheqjen. Myzafer Korkuti ka dhënë dorëheqjen duke e motivuar vendimin e tij me arsye personale.
Dy ditë më parë, Akademia e Shkencave zhvilloi zgjedhjet për kryetar dhe nënkryetar. Në postin e kryetarit u zgjodh Gudar Beqiraj, ndërsa në atë të nënkryetarit Myzafer Korkuti.
Pas dorëheqjes së akademikut Korkuti, Akademia ka vendosur thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Asamblesë më 11 shtator ku do të diskutohet për reformimin e institucionit.
Kryeministri Rama i cilësoi këto zgjedhje një farsë që para se ato të nisnin dhe paralajmëroi se nëse kjo do të vijonte, Akademisë së Shkencave nuk do t’i akordoheshin fonde nga buxheti i shtetit.
Akademiku Artan Fuga ishte i pari që ngriti zërin për atë çfarë po ndodhte në Akademinë e Shkencave duke i drejtuar disa letra edhe kryeministrit Edi Rama, vendimin e të cilit për ndërprerjen e fondeve e mbështeti.



