
“Gjatë bastisjes, në një dollap të maskuar në mur, fashistët gjetën dokumentin më kryesor e më sekret të PARTISË KOMUNISTE SHQIPTARE për atë periudhë-- Proces-Verbalin e Mbledhjes Themeluese.Vetëm 4-5 muaj kishin kaluar nga krijimi dhe ...fashistët kishin në duar jo vetëm ç’ishte diskutuar në atë mbledhje, por edhe emrat e të gjithë pjesëmarrësve, përfshi Enver Hoxhën, Qemal Stafën, Vasil Shanto e me radhë. Ndërkohë personi që strehohej dhe ruante atë bazë sekrete, një djalë i ri, pas arrestimit, nga që nuk i përballonte dot torturat, sa herë e shtrëngonin, aq më tepër dekonspironte ç’dinte, -adresa bazash ilegale, emrat e një numri shokësh.etj. Për ta neutralizuar këtë burim dekonspirimi dhe reprezaljet e pushtuesit, nisi një odise aksionesh e kundëraksionesh, nga tëdyja palët, plot dramacitet e me pasoja të renda...”
Gjatë fillimviteve ’80, afro 4 dekada pas ngjarjes së bujshme të pranverës së 1942-shit, gazetari e shkrimtari Spiro Dede, njëherazi, redaktori kryesor i librave me kujtime të Enver Hoxhës, do t’ja rrëfente kështu episodin e zbulimit të një prej bazave ilegale më kryesore të Partisë Komuniste miqëve të tij, pa e ditur,se ky subjekt, për kineastët, ishte një “thesar” që nuk mund “t’u shpëtonte” nga duart.
SPIRO DEDE: Kur rrëfeja këto dhe odisenë që pasoi, i pranishëm ishte edhe Drejtori i Kinostudios “Shqipëria eRe”, Vangjush Zallemi, ish udhëheqësi im në praktikën e gazetarisë dhe më pas, 7-8 vjet koleg në të njejtin sektor në “Zeri i Popullit”. “Qenkan tamam për film- tha aty për aty- Ngjarje me gjithë elementët e një filmi..”. Pas disa ditësh më takoi bashkë me kineastët e shquar,Viktor Gjikën, KristaqDhamon e Neshat Tozajn, edhe këta shokë e miq të mi dhe më kërkuan që mbi bazën e atyre historive të ndërtoja skenarin e një filmi artistik..As më kishte shkuar ndonjëherë ndërmend për diçka të tillë dhe as i njihja specifikat e teknikat e ndërtimit të kësaj gjinie të artit, por ata m’u kundërvunë më një tufë argumente, me “ urdhërin” -“do ta bësh se s’bën”, që ua lejonte miqësia reciproke, dhe me bashkëpunimin me Neshatin, shkrimtar, specialist i skenarëve. Kjo qe parahistoria. Të tjerat janë në film...
Skenari i filmit artistik siç tregon Dede, do të mbështetej në të dhëna historike, që ai vetë i kishte dëgjuar nga “burime të dorës së parë”. Kjo, në një farë mënyre do të shmangte edhe censurat e udhëheqësve, apo mos pëlqimin e tyre.
SPIRO DEDE: “ Vendimi” nuk është një film dokumentar, as një vepër kërkimore për të gjetur a, ca më keq,sajuar një të vërtetë tjetër nga ajo që njihet si e vërteta historike. Spunton për ato rrëfime nga lindi dhe ideja e skenarit të filmit “Vendimi” dhe e një vargu episodesh e ngjarjesh, e pata pikërisht nga që në vitin 1981 isha marrë me redaktimin e përgatitjen për botim të veprës së E.Hoxhës “ Kur Lindi Partia”. Skenari u bën jehonë atyre ngjarjeve, asaj periudhe historike, pa e ndjerë të nevojshme të sillte, apo të sajonte ndonjë të vërtetë tjetër . E.Hoxha i kishte shkruar më herët kujtimet e refleksionet e tij, por më 1981, në kuadrin e përgatitjes për botim, i kaloi nëpër duar edhe një herë , më shumë për saktësime, konfirmim e miratim përfundimtar të atyre që kishte hedhur në letër më parë. Pata rastin që shumë nga episodet t’i dëgjoja edhe njëherë , rrëfyer plot kolorit prej tij vetë .Ato pra, më pas, do përbënin edhe sfondin historik të ngjarjeve të filmit, bazamentin e tyre, por, kuptohet, të redaktuara, të përzgjedhura e të përshtatura për një vepër të natyrës artistike, kushtuar një momenti të caktuar historik, por jo foto kopje a inskenim i atij momenti dhe as i ngjarjeve konkrete... Përpos kësaj, Nexhmije Hoxha ( Xhuglini) e Ramiz Alia, në periudhën kur ndodhnin ngjarjet që u bën jehonë filmi, ishin ndër më aktivët dhe njohës shumë të mirë të atyre ngjarjeve. Nexhmije Xhuglini, madje, si anëtare e udhëheqjes së Rinisë Komuniste dhe e Qarkorit të Partisë Komuniste për Tiranën, ishte një nga të ngarkuarat kryesore për verifikimin e sqarimin e atyre veprimeve e aksioneve të cilësuar si të nxituar, ose edhe të gabuar të atyre kohëve, që binin ndesh me vijën politike të PKSh. Unë punoja pranë saj dhe kisha dëgjuar prej saj një mori të terë detajesh e historish, përveç faktit që, për arsye të punës që kryeja, kisha akses të plotë në gjithçka kishte thënë a shkruar Enver Hoxha për atë periudhë e ato ngjarje si dhe në dosjet përkatëse që gjendeshin në Arkivin Qendror të PPSH. Mund të përmend edhe dëshmi të mbledhura në fillim të vitit 1981 prej Fiqret Sanxaktarit (Shehu), aktiviste e shquar antifashiste, pjesëmarrëse direkte në disa nga aksionet që më pas, shërbyen si spunto, si sfond i episodeve të filmit, natyrisht të retushuara e të përshtatura për një vepër artistike...
Nën kujdesin e regjisorit Kristaq Dhamo, nisi puna për jetësimin e skenarit. Çdo actor, ndonëse jo me emrin e vërtetë, personifikonte një personazh historik të përfshirë në ngjarje, ndaj në përzgjedhjen e tyre, gabimet mund të kishin kosto të lartë. Katriot Caushi, do të mbante emrin Kujtimi, si në “Qortimet e vjeshtës”, të realizuar po nga Dhamo në 1981-shin. Bujar Lakos do t’i caktohej roli i Këshilltarit, Fane Bita, luante rolin e Isa Muratit... personazhi Edmond Budinës, personifikohej si Kreshniku. Filipi, djali i arrestuar që do të diktonte bazën, interpretohej nga Serafin Fanku, ndërsa Xhevdet Ferri ishte nën petkat e Sadriut, komunistit qëndrestar që nuk do t’i tradhtonte shokët. Dy vazjat më me peshë në aksionet e Partisë ishin Drita, e interpretuar nga Eva Alikaj si dhe Klodita, në lojën e Valentina Xhezos. Ndonëse jo si personazh veprues, Enver Hoxha është prezent në subjektin dhe ngjarjet e filmit, here përmendet me emrin e tij si kreu më i rënësishëm i Partisë Komuniste e në rastee të tjera nën pseudonimet “Tarasi” apo “Xha Hasani”. Një figurë që, sa gëzon respektin e anëtarëve të partisë, aq duket se edhe i “kall datën” fashistëve, që nuk arrijnë ta shtien në dorë, pavarësisht bashkëpunimeve me ballistët a legalistët.
SPIRO DEDE: Një lloj problemi ose shqetësimi mund të paraqiste masa dhe mënyra e trajtimit të figurave historike,të tilla si Enver Hoxha, Qemal Stafa, etj, por këta, si në skenar dhe në film, nuk ishin personazhe vepruese. Emrat e tyre vetëm përmendeshin në ambientet e anionet e fashistëve dhe kërkohej me ngut informacion për t’i kapur. Kjo nuk ishte një sajesë jona për t’i dhënë “peshë “ e rëndësi fiktive filmit. Ishte një fakt historik, dëshmuar edhe në gjyqin që fashistët organizuan ndaj një grupi ilegalësh të arrestuar, mes të cilëve edhe Koci Xoxe, një nga anëtarët kryesorë të udhëheqjes së PKSH.. Me që ky mohonte gjithçka, fashistët i vunë përpara një nga faqet e procesverbalit të mbledhjes themeluese, ku emri i tij, figuronte si pjesëmarrës në atë ngjarje, krahas E.Hoxhës, Q.Stafës e gjithë të tjerëve. Këto I kisha parë e miratuar nga burime të dorës së parë dhe s’kishte vend as për sajime, as për keqinterpretime . Kështu që preokupimi ynë si për skenarin dhe për gjithë procesin, nuk ishte se mos rrëshqisnim nga korniza, por sa e si në kuadrin e asaj kornize e logjike të mund të pasqyronim sa më drejt, me gjuhë e mjete të artit, të vërtetat historike, pa rënë në historizëm, të shtjellonim me vërtetësi e natyrshmëri , me nivel të pëlqyeshëm artistik atë fazë të rëndësishme të luftës antifashiste, siç ishte ajo e aksioneve të njësiteve guerile, e cila u parapriu krijimit dhe veprimtarisë së gjerë të njësiteve të ushtrisë partizane. Në këtë aspekt, pra në nivelin artistik, e mira e bukura, e arrira nuk kanë e nuk njohin kornizë. Kjo edhe për filmin “Vendimi”. Nuk gaboj kur them se, sidomos në vitet 80 e në vijim , pretendimet, kërkesat dhe kujdesi për nivelin artistik të filmave, si për të gjithë veprimtarisë kulturore-artistike, po tërhiqnin vëmendjen kryesore si të autorëve e artistëve, ashtu edhe të instancave drejtuese, përfshi edhe ato që i quajnë“censurë”.
Trajtimi në film i figurës së Enver Hoxhës apo “mungesa e çdo asociimi” sa i përket rolit të dy jugosllavëve Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha në krijimin e Partisë Komniste, lënë vend për diskutim sa i përket të dhënave historike që mungojnë, por sipas Dedes, kjo nuk cenon vërtetësinë e skenarit të “Vendimit”, si film artistik.
SPIRO DEDE: Filmi vërtet merr spunto e mbështetet mbi kujtime e refleksione të E.Hoxhës, për një periudhë të caktuar historike, por as ato kujtime dhe as filmi nuk u kushtohen e nuk trajtojnë thjesht e vetëm portretin e veprimtarinë politike të E.Hoxhës dhe as të ndonjë figure tjetër konkrete. U kushtohen luftës antifashiste të popullit shqiptar, një faze të caktuar të saj , aksioneve të para guerilase, dështimeve e rreziqeve pa fund, guximit e trimërisë së rinisë atdhetare..Kjo për atë që ju quani momenti i parë. Sa për momentin e dytë, atë që ju e quani “mungesë e çdo asocimi me rolin e jugosllavëve në krijimin e PKSH”- ky asocim mund të kishte një lloj vendi po të bëhej fjalë për të vërtetën e krijimit të PKSH, por kurrsesi me skenarin e me filmin“ Vendimi”. Asnjë rol, asnjë prezencë, asnjë ndikim pozitiv a negativ, nuk kishin në ngjarjet që bën fjalë filmi, dy delegatët jugosllavë që ishin thirrur në atë periudhë për konsulencë e ndihmë pranë udhëheqjes së PKSH. Ka qenë e mbetet shtrembërim i të vërtetës historike glorifikimi gjer në banalizim i prezencës dhe rolit të atyre dy individëve, të cilët, as bënë dhe as mund të bënin kurrgjë më tepër se c’mund të bëjnë dy individë, në raport me një parti të tërë, mes qindra e mijëra luftëtarësh të lirisë, që me jetën e tyre po u dilnin për zot fateve të vendit e të popullit. Xhirimet e filmit “Vendimi”, kërkonin angazhim maksimal, për krijimin e skenografive por edhe sa i përket kostumografisë, apo përshtatjes së imazhit të aktorëve me atë të personazheve historikë. Piktorët Namik Prizëren, Dhimitër Dheodhori, si dhe grimieri Ylli Muça, i kanë bërë interpretimet e skenat edhe më të besueshme në sytë e publikut.
Harmonia dhe bashkëpunimi mes aktorëve, duket se ka qenë një nga elementët shtesë që filmi të realizohej me sukses. Gjatë xhirimeve, por edhe në premierë, pavarësisht temës historike që trajtohej siç tregojnë artistët, nuk është ndjerë ndonjë lloj presioni apo prezenca e ndonjë elementi të udhëheqjes komuniste.
SPIRO DEDE: Kujtoj se u prit përgjithësisht mirë. Kryesorja, nuk pati as kritika, as vërejtje, nga “ata lart”, qoftë nga instancat shtetërore që kishin në vartësi Kinostudion, edhe nga ato partiake, që kishin në vartësi gjithçka. E përmend këtë sepse tani është vështirë të kuptohet se me ç’shqetësim e tension, madje me ankth, pritej nga autorët e artistët e çdo filmi gjykimi i “ atyre lart” . Ishte rregull, ndonëse i pashkruar askund, që çdo film, prodhim i ri i Kinostudios, para se të hidhej në rrjetin e kinemave, dërgohej për t’u parë nga udhëheqja e lartë. Me “ata lart”, përfshiheshin shumë hallka e instanca, por njerëzit e filmit, -drejtuesit, regjisorë e skenaristë, artistët etj, nga përvoja, kishin parasysh kryesisht dy : Enver Hoxhën e Ramiz Alinë. Të dy këta jo vetëm nuk linin film pa parë, por e kishin, sa prirje e zakon, aq edhe detyrë që të shfaqnin e përcillnin mendimin e gjykimin e tyre. Prej pëlqimit ose mospëlqimit të tyre, i jepej ‘vula “ e i varej fati punës e angazhimit disa mujor të një armate të tërë autorësh, artistësh, punëtorësh e specialistësh, zellit , pasionit dhe sadisfaksionit të tyre... Një pritje e tension të tillë përjetuan për disa ditë me radhe edhe autorët e kolektivi i filmit “Vendimi”, gjersa ‘agjenti ‘ i brendshëm i Kinostudios, operatori që shfaqte filmat te ata lart, hyri një mëngjes në oborr fytyrë qeshur dhe me formulën e përhershme për raste të mbara: “ u pëlqye”!.
Filmi trajton komunistët si fanatikë të disiplinës, besnikë, inteligjentë e trima që i bëjnë ballë betejave të përgjakshme, por që nuk përdorin taktika “jo të ndershme” as në luftë me armikun. Sot, gati 8 dekada më vonë shumëçka ka ndryshuar edhe prej asaj që ndodhi gjatë udhëheqjes afro gjysmëshekullore të Enver Hoxhës e më tej Ramiz Alisë, por “Vendimi”, siç thotë Dede , mbetet i patjetërsueshëm.
SPIRO DEDE: E di se është shfaqur hera –herës në kanale të ndryshme televizive, më kanë folur për përshtypjet e tyre edhe shokë e miq, por, a për rastësi, më tepër nga një shtysë vetjake, nuk kam mundur ta rishoh. Ruaj emocionet e përshtypjet e premierës dhe të daljes së parë në rrjetin e kinemave. Në instancë të fundit kam qenë e jam i ndërgjegjshëm se, për një film, sido që të reflektosh më pas e sado dëshira të kesh, ajo ç’ka është arritur nuk mund të preket e ribëhet më, ashtu si edhe nuk mund të zhbëhet, të digjet e të piqet, siç ngriti zërin dy vjet e ca më parë një tufëz me mendësi fashistoide. Filmi nuk është një poezi, a tregim , a novelë që edhe mund ta rishohësh, redaktosh e përmirësosh. Është një ndërmarrje e madhe, vepër kolektive me vulën e 40 vjetëve më parë, që mbart në përmasa modeste, vizione e mesazhe nga një periudhë heroike e historisë së popullit tonë. Atë nivel, ngjyrë e vulë le të mbajë, ato mesazhe le tëpërcjelli..E vetmja gjë që do t’i dëshiroja fatit të mëtejshëm të tij, është që t’i shkonte e të meritonte thënien “e mira nuk ka fund” ...



