Teksa biznesi ka parashtuar disa kërkesa për qeverinë, raportet me administratën tatimore mbeten sfida më e madhe . Ish-zv drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Flobens Dilaveri gjatë një lidhje skype në edicionin e lajmeve në TVT, thotë se në kushtet e mospezullimit nga Qendra Kombëtare e Biznesit, shumë subjekte mund të ndjekin një rrugë tjetër.
Forma e parë që do të ndjekë biznesi është që nuk do të paguajë detyrimet dhe pastaj do të kalojë në zgjidhjet e tjera që nga çregjistrimi dhe regjistrimi si biznes tjetër e deri në strategji të tjera për të shmangur këtë situatë paradoksale.
Më tej, ish-zv.kreu i Tatimeve thotë se bizneset rrezikojnë të gjobiten nga ana e autoriteteve tatimore, nëse nuk deklarojnë në kohë tatim fitimin.
Risku ekziston. Unë mendova që në kuadër të lehtësirave që do të duhej të ofronte shteti ishte patjetër edhe një lehtësim procedurash tatimore, që nuk mund të ndiqeshin si në periudhë normale. Kërkesa e industrialistëve italianë jo vetëm është me vend, por duhet të shtrihet te të gjitha bizneset shqiptare.
Lidhur me lehtësitë që qeveria ka ndërmarrë ndaj biznesit në këtë periudhë të fatkeqësisë natyrore, Dilaveri shton se ato janë të pamjaftueshme.
Nga të dhënat zyrtare, 36 mijë biznese dhe 61 mijë punonjës kanë aplikuar deri më tani për pagën e luftës.



