
Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë Turqinë dy ditët e fundit.
Zjarret kanë përfshirë zonat e banuara dhe destinacionet turistike në Turqinë jugore, ku janë evakuuar dhjetëra fshatra.
Mediat vendase bëjnë me dije se zonat më problematike janë Manavgat, Alans, në Adana, Mersin, të Halicarnassus (Bodrum) dhe Marmaris, pranë zonave turistike të Turqisë jugore.

Për shkak të erës së fortë flakët e zjarrit janë përhapur dhe në zonat e banuara, duke djegur dhjetëra shtëpi, ara dhe stalla në shumë fshatra.
Zjarret shpërthyen gjithashtu të enjten në gjashtëmbëdhjetë vende të tjera, përfshirë rajonin Icmeler, pranë vendpushimit të Marmaris, që kërcënuan shkurtimisht shtëpitë e pushimit dhe hotelet.
"Për momentin, nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm për ndonjë vendbanim ose jetë, por në orët në vijim, nëse era ndryshon drejtim, ne do të duhet të marrim masa paraprake shtesë," u tha gazetarëve Pakdemirli, ministri i pyjeve.
Rajoni i Antalias është një destinacion popullor për pushime për turistët nga Rusia dhe pjesë të tjera të Evropës, por asnjë nga vendet turistike nuk u prek nga zjarret, thanë zyrtarët.
Qindra punonjës të pyjeve, të ndihmuar nga helikopterët dhe një aeroplan, po përpiqen të vënë zjarrin nën kontroll.
"E gjithë mbështetja e nevojshme do t'u jepet qytetarëve tanë që pësuan dëmtime nga zjarri," tha Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan të mërkurën në mbrëmje, duke premtuar një hetim të plotë.
Zjarret e egra janë të zakonshme në rajonet e Mesdheut dhe Egjeut të Turqisë gjatë muajve të nxehtë të verës, megjithëse disa zjarre pyjorë janë fajësuar si të qëllimshme.



