
Kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj reagon lidhur me anulimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku pritej të diskutohej heqja e mandatit të deputetit Alqi Bllako pas kërkesës së SPAK për ta arrestuar, si i përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Alibeaj thotë se vendimi për anulimin vjen pak minuta para nisjes së mbledhjes..
Nga momenti që kryetari i Kuvendit thërret Këshillin e Mandateve kompetenca i kalon këtij Këshilli. Është ai që duhet të mblidhet dhe të shqyrtojë kërkesën e SPAK. Është Këshilli ai që vendos dhënien e autorizimit ose jo, pra heqjen e imunitetit ose jo. Pa këtë përgjigje e gjithë procedura e mëtejshme hetimore e procedimit penal ka një mungesë, ka një mangësi. Nuk ishte e habitshme për ne, nuk ishte i habitshëm fakti që do të anulohej mbledhja e Këshillit duke ju bërë pengesë drejtësisë sepse ngelet pa përgjigje kërkesa e Prokurorisë.
Sipas tij, SPAK ka paraqitur në datën 29 mars kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako dhe se kjo është një kërkesë brenda gjithë kornizës proceduriale, siç ligji duhet të zbatohet dhe institucionet duhet ta zbatojnë ligjin.
Nga ana tjetër pesë deputetë të opozitës kanë firmosur një kërkesë drejtuar Kuvendit, ku kërkohet mbajtja e mbledhejs së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.



