
Ministri Toni Gogu dhe bashkëshortja e tij, Edi, ishin të ftuarit e Ermal Peçit në programin “Më prit të dielën”.
Në një intervistë mes jetës publike dhe asaj familjare, çifti ndau rrëfime rreth momenteve të ndryshme të jetës së tyre. Vala e debatit publik rreth ligjit të barazisë gjinore i përfshiu të dy, teksa ata dhanë komente rreth saj:
“Familja shqiptare i do fort gjinitë, i dallon dhe i mbron fort. Nëse anëtarët e familjes sonë ndihen ndryshe, duan të jetojnë siç dëshirojnë, shteti këtu ka detyrë t’i mbrojë, secili të marrë shërbimet që i meritojnë si qytetar i denjë i këtij vendi.”, tha zoti Gogu.
Për shkak të lidhjes shpirtërore me besimin, të dy u përfshinë në debatet që ligji “rrezikon” familjen, teksa Edi i përgjigjet Ermalit se si do të ndihej nëse një nga fëmijët ka orientime seksuale që ndoshta bien ndesh me parimet fetare.
“Mund të kemi zemërthyerje, ndoshta s’mund të biem dakord me stilin e tyre të jetesës, por kurrsesi s’do t’ua kursejmë dashurinë.”, tha zonja Gogu.



