
Komiteti Hetimor Rus ka nisur një çështje penale lidhur me rrëzimin e avionit “Embraer Legacy”, ku vdiqën 10 persona, mes të cilëve dyshohet të jetë edhe shefi i Wagner Prigozhin.
Po ashtu në vendngjarje ka shkuar edhe një grup hetimor. Në një njoftim për mediat bëhet me dije se: “Do të bëhen të gjitha ekspertizat e nevojshme mjeko-ligjore, do të kryhen një sërë veprimesh hetimore për zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të avionit”.
Po ashtu Autoriteti shtetëror rus i aviacionit Rosaviation bën me dije se një komision i krijuar posaçërisht "ka filluar të hetojë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit me avionin Embraer-135, i cili ndodhi më 23 gusht në rajonin e Tverit".
“Sipas të dhënave paraprake, në bordin e avionit, i cili fluturoi në linjën Moskë-Shën Petersburg, kishte shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit”, tha autoriteti.
“Komisioni i Agjencisë Federale të Transportit Ajror po fillon veprimet fillestare në vendin e aksidentit, si dhe ka filluar mbledhjen e materialeve faktike mbi ekuipazhin, gjendjen teknike të avionit, situatën meteorologjike në rrugën e fluturimit, punën e shërbimeve dispeçer dhe pajisjeve radio”, thuhet në deklaratë.
Ngjarja e sotme vjen afro dy muaj pas përpjekjes së dështuar të Prigozhin për të realizuar një grusht shteti kundër Presidentit rus Vladimir Putin.



