Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal këtë të premte në Rrushkull të Durrësit, një fshat me problematika të shumta. Disa nga shqetësimet e banorëve janë rruga e keqe, mungesa e kanalizimeve. Sipas denoncimit të tyre demokratët trajtohen keq duke mos marrë as dëmshpërblimet e tërmetit, ndërkohë që krejt ndryshe trajtohen socialistët. Po ashtu ata pretendojnë se banorët me bindje të djathta kanë mbifaturime në faturat e energjisë elektrike.

Një nga banorët tha: “Uji i pastër dhe uji i pistë janë bashkë. Kanalizime nën tokë nuk ka. Pjesa e dytë racizmi PS-PD. Je i PD s’ke asnjë lloj të drejte, po je i PS 8 herë bie tërmeti për një shtëpi dhe merr shpërblim! I ke me fakte, kush i ka marr paratë e tërmeteve. Jam super i dëmtuar nga tërmeti dhe s’kam marrë asnjë lekë. Rrugët janë në mënyrë skandaloze, që në kohën e Berishës e deri sot s’ka asnjë investim në rrugë".
Ramazani, banor i Rrushkullit shprehet: “Për herë të parë në Rushkull kam shkelur në 1982 dhe mu duk mrekulli. Sot është kthyer mbrapsht dhe s’ka asnjë investim në Rrushkull. Kanalizimet janë katastrofë. Duhet të mbash shamitë te hunda që të kalosh. Jemi zonë turistike, por jemi pa shtet. Nuk bëhet llaf të ngresh bujtina. Kemi një urë me dërrasa që lidh dy fshatra!”.
Një banore, Lindita, tha: “Kam vetëm një kemp invadiliteti, nuk ekziston ndihma. Këtu është bërë një katastrofë me dëmshpërblimet e tërmetit. Më thanë për ta bërë rinovimin komplet. Ishte për t’u shembur dhe s’e bënë. Djali ishte me DS4 dhe s’ia kanë rregulluar shtëpinë fare, jeton te shtëpia ime. Koshat e plehrave janë këtu! Ujë të pijshëm s’ka fare".
Një tjetër banor tha se në këtë fshat s’është bërë asnjë investim në 10 vite dhe tani janë sjellë tubat e betonit vetëm për fushatë.



