
Policia e Shtetit në bashkëpunim me institucione të tjera të ngarkuara me përgjegjësi në kuadër të task – forcës “Për sezonin turistik veror 2019” ka marrë të gjitha masat për garantimin e pushimeve të qeta dhe të sigurta për të gjithë pushuesit në zonat turistike dhe plazhe, ku një ndër më kryesoret është menaxhimi i nivelit të zhurmave në qendrat urbane, zonat turistike dhe ato bregdetare.
Siç bëri të ditur Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Gjovalin Loka, “nisur nga disa ankesa të ardhura në adresë të Policisë së Shtetit gjatë muajt Qershor 2019, për prishje të qetësisë së pushueseve si pasojë e muzikës së lartë që gjenerojnë lokale të ndryshme, jo vetëm në zonën bregdetare, por edhe në zona të tjera urbane, si dhe në zbatim të porosive të lëna në takimin e fundit nga Kryeministri i vendit dhe Ministri i Brendshëm, me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë, për reagim të menjëhershëm të Policisë së Shtetit lidhur me këtë, Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojë biznes disko, lokale nate, apo me muzikë “LIVE”, që të respektojnë në mënyrë rigoroze kufizimet e orareve dhe të ndotjes akustike në mjedis sipas përcaktimeve të bëra në aktet ligjorë që janë ora 23:00 në ditët e javës dhe ora 24:00 në fundjavë”.
“Me qëllim plotësimin e standardeve për pushime të sigurta dhe të qeta në zonat turistike dhe qendrat e banuara, Policia e Shtetit ka hartuar dhe po zbaton një plan masash të detajuar me detyra sipas strukturave përkatëse, në zbatim të detyrimeve institucionale të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në lidhje me sezonin turistik veror 2019”, shtoi ai.
“Policia e Shtetit do të ushtrojë kontroll të pandërprerë dhe do të marrë masa të menjëhershme në funksion të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe pushuesit në zonat bregdetare e ato urbane, duke ndëshkuar sipas akteve ligjore në fuqi, çdo subjekt që gjeneron zhurmë tej normave të lejuara”, theksoi Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Gjovalin Loka.



