
Mund të ketë njëqind iranianë që rrezikojnë dënimin me vdekje këto ditë, dhe shumë prej tyre janë shumë të rinj apo edhe të mitur.
Lajmin e bën të ditur CNN, duke saktësuar se këtë numër e ka marrë duke krahasuar lajmet nga media dhe informacionet e shpërndara nga autoritetet.
Megjithatë, shumë familje nuk kanë pasur guximin të konfirmojnë praninë e të dashurve të tyre në mesin e të arrestuarve në rrezik, por janë të paktën 43 të tillë, mes tyre janë dy vëllezër të moshës 23 dhe 24 vjeç, Farzad dhe Farhad Tahazade, nëna e të cilëve ka publikuar një video për të kërkuar lirimin e tyre, një gjest jo pa rrezik për veten e saj.
Vetëm në Gjykatën Rajonale të Khuzestanit, në perëndim të Isfahanit, konfirmon CNN - në bashkëpunim me 1500Tasvir - përmes dokumenteve gjyqësore se 23 persona u akuzuan për krime të dënueshme me vdekje. Në Karaj, pranë Teheranit, u zbulua se pesë iranianë të tjerë rrezikojnë të ekzekutohen. Mes tyre është edhe kampioni kurdo-iranian i karatesë 21-vjeçar, Mohammad Mehdi Karami. Familja e tij ka nisur një apel për lirimin e tij, duke pretenduar se ai është torturuar edhe në burg. Një tjetër i burgosur, reperi 27-vjeçar iraniano-kurd Saman Yasin, tentoi të bënte vetëvrasje në burg.
Gjykata e Lartë e Iranit ka refuzuar ndërkohë ankesën e Mohammad Ghobadlou, duke konfirmuar dënimin e tij me vdekje, duke autorizuar kështu ekzekutimin e tij. “Apeli u refuzua nga Gjykata e Lartë dhe ndaj tij nuk do të ketë gjykim të dytë. Prandaj dënimi i tij do të zbatohet”, tha Gjykata e Lartë. Në vend të kësaj, ankesa e reperit kurd Yassin (Saman Seyyedi) u pranua, dhe për këtë arsye ai do të gjykohet përsëri, sipas Gjykatës së Lartë të Teheranit.



