Elti Dizdari, i njohur ndryshe edhe me emrin Denis Matoshi, është arrestuar në Dubai si pjesë e një operacioni ndërkombëtar anti drogë të zhvilluar në disa shtete kryesisht në Europë.
Dizdari, i cili nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare, prej disa kohësh ishte shpërngulur në Dubai, ndërsa tani i janë sekuestruar 5.5 milion euro dhe tonelata me kokainë që vinte nga Ekuadori dhe trafikohej në shtetin e Europës. Si pjesë e këtij operacioni janë arrestuar edhe pesw persona në Vlorë, që dyshohet se janë pjesë e grupit të Dritan Rexhepit, i cili ndodhet në burg në Ekuador.
Sakaq, Dizdari nuk është një emër i panjohur as për publikun shqiptar. Ai ka qenë shpesh në qendër qendër të mediave rozë për shkak të bashkëshortes së tij, ish-missit Suada Sherifi.
Dizdari ishte shpallur në kërkim edhe nga Interpol Tirana, pasi emri i tij është i lidhur edhe me ngjarjen e 4 tetorit 2018 në Bllok, ku mbeti i vrarë një person, Fabiol Gaxha, dhe pati disa të plagosur midisi të cilëve Ervin Mata. Ngjarja ndodhi para lokalit “Monopol” të Redi Popeskut.
Eldi Dizdari njihet si kushëri i afërt me Arbër Çekaj, pronarin e kompanisë së bananeve të arrestuar në Gjermani për trafikun e 613 kg kokainë që u sekuestrua para disa muajsh në Durrës. Para pak ditëve Çekaj u dënua nga GJKKO me 14 vite burg.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë, në bashkëpunim me homologët, i koordinuar nga Europol, Eurojust dhe Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor.
Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar "LOS BLANCOS", i shtrirë në disa shtete, si Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Në Shqipëri operacioni është zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës e Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, të Njësisë së Kërkimit "Fast" dhe të Zyrës së Interforcës në Shqipëri.
Si rezultat i operacionit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës, janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, 5 të kërkuar, konkretisht:
Në Tiranë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi G. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Në Vlorë janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasit E. J., 27 vjeç dhe J. Ll., 31 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Në Durrës është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, shtetasi R. I., 33 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, i caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.
Në Lezhë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi V. L., 40 vjeç, pasi Gjykata e Firences Itali, e ka dënuar me 24 vite burg, për veprën penale “Shkelje e ligjit mbi drogat“.
Gjatë operacionit, Skuadra Mobile e Firences dhe Shërbimi Central Operativ i Policisë, në bashkëpunim me skuadrat e tjera kompetente lëvizëse, organet e policisë të shteteve të Bashkimit Evropian në fjalë dhe Policinë e Shtetit shqiptar, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 30 shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Nga hetimet ka rezultuar se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani të quajtur "KOMPANIA BELLO", që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën.
Pak çaste më vone policia bëri një tjetër njoftim.
Në vijim të informacionit të dhënë për operacionin mjaft të suksesshëm ndërkombëtar të koduar “LOS BLANCOS”, zhvilluar me homologët ndërkombëtar, si rezultat i të cilit, në Shqipëri, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit u kapën dhe u arrestuan 5 persona, bëjmë me dije se janë ekzekutuar masat e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” edhe për disa shtetas të tjerë, pjesëmarrës të organizatës kriminale, të cilët janë rezidentë jashtë shtetit.
Si rezultat i koordinimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe policive të përfshira në operacion u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Denis Matoshi alias Elti Dizdari, 31 vjeç, person me rekorde kriminale të theksuara në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe krimeve ndaj personit.
Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me autoritetet policore italiane, rumune, holandeze, spanjolle dhe hungareze, në kuadër të operacionit “LOS BLANCOS”, u bë u kapja dhe ekzekutimi i masave të sigurisë për shtetasit:
Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani;
Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Holandë;
Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë;
Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari.
Gjithashtu iu komunikua masa e sigurisë “Arrest në burg” shtetasit Altin Velsula (Hoxha), 36 vjeç, i cili ndodhet në burg në Norvegji.
Policia e Shtetit ka një bashkëpunim solid me partnerët dhe është e angazhuar maksimalisht dhe me profesionalizëm në finalizimin e shumë operacioneve të rëndësishme në kuadër të goditjes së krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme që do bëhen prezent në kohën e duhur.



