
Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, nuk është optimist për të ardhmen e BE-së, edhe në terma afatshkurtër. Në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel”, Salvini thotë se muajt e ardhshëm do të përcaktojnë të ardhmen e unionit.
“Muajt e ardhshëm do të vendosin nëse Evropa ende ka një të ardhme në formën e saj aktuale ose nëse e gjithë gjëja është bërë e kotë. Nuk është vetëm për buxhetin për shtatë vitet e ardhshme. Vitin e ardhshëm do të shohim zgjedhjet e reja të Parlamentit Europian. Brenda një viti, do të shohim nëse Evropa e bashkuar ende ekziston ose jo”, shprehet Salvini.
Kreu i Lega-s, njëra nga partitë na koalicionin qeverisës të Italisë, thotë se vendi i tij është i dyti pas Gjermanisë për nga numri i refugjatëve të pranuar. Çështja e emigracionit ka qenë arsyeja kryesore e “përplasjeve” të tij me Gjermaninë dhe vende të tjera të BE-së, por Salvini thotë se nuk dëshiron të bëhet shkak për rënien e qeverisë së Merkelit. “Nuk do të doja të shihja një krizë apo rënien e qeverisë, edhe pse pikëpamjet tona politike, dhe jo vetëm mbi çështjet e emigracionit, janë të ndryshme. E njëjta gjë vlen edhe për politikat ekonomike, reformën në sistemin banker dhe suficitin e tregtisë së jashtme gjermane”, thotë Salvini.
Zëvendëskryeministri i Italisë shprehet më tej se nuk e ka “nderin e komunikimit direkt me kancelaren Merkel”, por mban kontakte me homologun e tij dhe aleatin kryesor të kancelares, Horst Seehofer.
“Të dy ndajmë të njëjtin qëndrim për mbrojtjen e kufijve dhe refuzimin e atyre që nuk kanë të drejtë azili. Qëllimi i përbashkët i të dyve nuk është thjesht nxitja e një shpërndarjeje të re të refugjatëve nga Brukseli, por edhe mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së. Një sistem i ngjashëm me Turqinë në juglindje duhet të zbatohet edhe në Europën Jugore”, shprehet ai.



