Datat 26 dhe 27 dhjetor pritet të jenë përcaktuese për fatin e PD-së dhe kreut të Rithemelimit Sali Berisha.
Nesër GJKKO do të vendosë mbi kërkesën e SPAK për të ndryshuar masën e sigurisë ndaj Berishës, ndërsa pasnesër do të vendoset mbi fatin juridik të PD-së, që prej afro 2 vitesh endet në dyert e gjykatave.
Në një raportim për MCN Live Gazetari Arsen Rusta bën me dije:
Pritet që fundviti të sjellë një përballje të fortë me sistemin e drejtësisë, sa i përket PD-së dhe liderit të saj, ish-kryeministrit Sali Berishës. Nesër në orën 10:00 do jetë gjyqtarja Irena Gjoka që do të vendosë mbi kërkesën e SPAK për të vendosur në një masë sigurie më të ashpër sic është ajo e arrestit për ish-kryeministrin Berisha, nga detyrim paraqitje që ka vendosur e njëjta gjykatë, z.Berisha nuk e ka respektuar dhe ka vënë në lëvizje SPAK, që bëri një kërkesë për autorizim për të dyja masat në Parlament. Nuk dihet nëse z.Berisha do të vijë apo jo në gjykatë. Të mërkurën në mëngjes gjyqtari Artur Kalaja ka planifikuar të dalë me një vendimmarrje mbi fatin juridik të kësaj partie, që për më shumë se dy vjet endet dyerve të gjykatave. Do të mbetet në fuqi vendimi i Apelit për rigjykim të çështjes, apo vendimi i Agron Zhukrit, që ia njeh vulën z.Berisha”.



