Të kthehesh nga një dietë vegjetariane pas nëntë vitesh në një regjim që përfshin mishin, shpesh është një sfidë më vete.
Studentja Hergi Seitlli tregon se që nga momenti që hoqi dorë nga dieta e saj vegane, është ndier shumë më mirë, sidomos për shkak të rikthimit të proteinave nga produktet shtazore në organizëm.

Vendimi nuk ishte i lehtë dhe, siç thotë ajo, nuk erdhi nga dëshira, por për arsye shëndetësore.
Nuk ishte zgjedhje ime, ishte më shumë një nevojë për trupin tim. Analizat treguan se kisha nivele shumë të ulëta të vitaminës D.
Problemet kishin nisur me çrregullime menstruale që zgjatën deri në një vit, shenja të qarta të çekuilibrave hormonalë, fryrje, shpërthim aknesh dhe luhatje të forta emocionale. Gjatë konsultave me mjekun, ajo i shpjegoi se nuk konsumonte as kërpudha, një nga zëvendësuesit kryesorë të mishit, pasi është alergjike ndaj tyre.
Mjeku më tha qartë: ‘O do jetosh gjithë jetën me suplemente, ose do duhet të rikthehesh te mishi, sidomos te peshku, pasi është një burim shumë i mirë i vitaminës D’.
Hergi thotë se sfidën më të madhe e kishte me konsumimin e mishit të pulës.
Edhe pse fillimisht provova alternativa dhe suplemente të ndryshme, rezultati nuk ishte i kënaqshëm. Nga janari deri në mars mora vitaminë D në formë suplementi, por situata mbeti e njëjtë. Me mbështetjen e nënës, nisa gradualisht të konsumonte mish, fillimisht mish pule, por kjo përvojë nuk ishte aspak e lehtë.
Gabimi im ishte që e nisa me fileton e pulës. Ishte shumë e vështirë, nuk e haja dot, e lashë përgjysmë. Ishte e tmerrshme. Me peshkun nuk kam pasur problem, madje as me mishin e viçit. Vetëm me mishin e pulës e kam pasur sfidë të vërtetë. Por them me bindje: ia dola, për shëndetin tim.



