
Inxhinieri elektrik Azmer Duleviç, për humbjet në rrjet thotë se duhet menaxhim më i mirë për kaskadën e Drinit.
Në një lidhje për MCN Live, ai deklaroi se me vënien në funksion edhe të Bursës shqiptare në datën 11 prill ndryshojnë rregullat e lojës dhe ligjet aktuale, duke e cilësuar si diçka pozitive, ndonëse shprehet se mënyra se si do të operohet mbetet për tu parë.
Bursa do rregullojë këto disbalanca në çmime, se ne kemi blerë energji shumë shtrenjtë dhe e kemi shitur shumë më lirë se çmimi i bursës.
Bursa do të mbajë nën kontroll këto çmime dhe pastaj e gjitha varet se si do menaxhohet komplet sistemi i bursës, i cili është gati dhe stafet janë trajnuar dhe po përgatiten nga bursa e Athinës për të qenë gati për operim.
Është një eksperiencë e munguar në vendin tonë, është një nismë e re, mbetet për tu parë nëse do ketë rezultat pozitiv ose jo se bursa është domosdoshmëri për çdo vend që ka një rrjet energjetik.
Duhen transaksione me bursën e Malit të Zi, por duhet përfshirë dhe Kosova, se në momentin që është vetëm vendi ynë është shumë i kufizuar.
Ka hapësira, në dijeninë time është bërë një marrëveshje me Kosovën, por në njoftimet që ka bërë ALPEX, bursa shqiptare, nuk ka asgjë konkrete thjesht është bërë një marrëveshje.
Në datë 11 mbetet për tu parë a do jetë Kosova apo jo.
Lidhur me dy anijet lundruese për të prodhuar energji, Duleviç tha se aktualisht TEC-et nuk janë në punë, janë licencuar së fundmi por nuk janë funksionale dhe nuk prodhojnë energji elektrike.
Inxhinieri deklaroi se kostoja financiare rëndohet, pasi paguhet 94 mijë dollarë në ditë që është qiraja dhe mirëmbajtja.
Madje ai ironizoi se nëse do ishin vënë në punë nuk do kishte ngelur ministër pa shkuar për inaugurim.
Në këtë moment çmimi i 1 megavat për orë, është 120-130 euro. Ndërsa nëse vihen në funksion këto TEC-e kostoja për 1 megavat shkon 250 euro dhe janë jofitimprurëse dhe unë dyshoj se do jenë ndonjëherë në punë, se na leverdis më mirë që ta blejmë në bursë.
Pa marrë parasysh ndotjen, sidomos për Vlorën dhe bregdetin, sidomos që jemi në fillim të sezonit turistik. Ato çlirojnë gazra të dëmshëm në atmosferë dhe e ndotin ambientin.
Banka Botërore vetë në një deklaratë tha se ne nuk certifikojmë. TEC-et lundruese në bordin e tyre kanë 19 gjeneratorë që prodhojnë energji elektrike me mazut, sa i përket lëndës që është e dëmshme, kur janë gjeneratorë që përdorin mazut, shpesh japin problematika dhe defekte teknike.
Dyshoj se këta 19 gjeneratorë nuk janë funksionalë pasi janë përdorur 20 vjet në Bangladesh, nuk janë të reja dhe për një kohë shumë të gjatë është dhe pjesa e amortizimit dhe kjo është një ndër aktorët që nuk po vendosen në punë, se mund të jenë në gjendje remonti.
Duhet të jenë institucionet shqiptare që të japin shpjegime ose informacion, as se kur mund të jetë data më e afërt se këto mund të vihen në punë.
Janë kontraktuar në prill 2022 dhe kanë ardhur në tetor 2022, nga tetori deri në këtë moment, bëhet gati 1 vit, ato nuk janë në punë.
Do ketë justifikime nga KESH, por ka qenë koha më se e mjaftueshme se ato nuk erdhën brenda natës. Linja dhe terreni për tu bërë gati nuk shkon më tepër se disa javë. Për kontratën ne dimë se këto janë marrë për back up, si shpëtim në momentin kur nuk do siguronim energji elektrike.
Vihen apo nuk vihen në punë, do paguhet tarifa e qirasë ditore dhe mirëmbajtjes së këtyre TEC-eve. Humbjet teknike janë mbi 20% në rrjet, humbjet zyrtare që ne i kemi nga OSHEE.
I kemi më të lartat në mesataren e Europës dhe rajonit që janë 11%. Duke qenë humbje shumë të larta, rëndohet buxheti i shtetit për të blerë energji. E gjitha kjo vjen nga rrjeti i amortizuar.
Pa u bërë investimet madhore në rrjetin e shpërndarjes do kemi humbje me vlera kaq të mëdha, por tek pjesa e humbjeve përfshihen edhe pjesa tjetër, si vjedhja e energjisë.



