
Tridhjetë e tetë vjet pas vrasjes së këngëtarit John Lennon, autori i krimit thotë se është penduar. Mark David Chapman i ka thënë bordit të lirimit me kusht se ndien gjithnjë e më shumë turp për vrasjen e ish-pjesëtarit të Beatles-it, në Manhatan, në vitin 1980.
"Atëherë nuk mund të them se isha i turpëruar, por tani e di mirë se çfarë është turpi. Është kur do të mbulosh fytyrën dhe nuk ke gojë të kërkosh asgjë”, thotë ai.
Chapman ka shprehur sërish keqardhjen e tij për vrasjen e Lennon në seancën e dhjetë të bordit të lirimit me kusht, në muajin gusht.
Ai ndodhet në burgun e Wende-s, ku vuan dënimin prej 20 vjetësh. Bordi e refuzoi kërkesën e tij për lirim.
Chapman, 63 vjeç, vrau me armë zjarri John Lennon mbrëmjen e 8 dhjetorit 1980, pak orë pasi këngëtari i Beatles-ave i kishte dhënë një autograf.
Chapman u tha anëtarëve të bordit që shqyrtoi kërkesën e tij se Lennon u tregua i jashtëzakonshëm me të atë ditë. Ai thotë se pati një luftë të brendshme në lidhje me vendimin për ta vrarë.
"Isha shumë larg", i tha Chapman bordit. "Më kujtohet që e kisha menduar gjatë. Hej, ti ke marrë albumin tani. Ai të dha autografin, tani ik në shtëpi. Por nuk mund të ndodhte që atë ditë të shkoja në shtëpi”, tregon ai.
Ashtu si në seancat e mëparshme, Chapman pretendon se e kreu vrasjen për famë dhe nuk ndjeu armiqësi për Lennonin, megjithëse e qëlloi me disa plumba.
"E qëllova në mënyrë të tillë që të sigurohesha që do të vdiste. Nuk vuajti”, rrëfen ai.
Chapman thotë se e kupton se dhimbja që shkaktoi do të vazhdojë edhe pasi ai vetë të vdesë.
Chapman ka të drejtën t’i dëgjohet kërkesa për lirim me kusht përsëri në gusht të vitit 2020.



