Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, prezantoi sot gjetjet e një studimi të realizuar në muajt tetor-nëntor, për matjen e perceptimit të publikut mbi punën e Policisë së Shtetit.
Në prani të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, Çuçi tha se në bazë të studimit suedez, 66% e publikut e vlerëson mirë punën e Policisë së Shtetit. Krahasimin Çuç e bëri me vitin 2013, kohë kur PS-ja mori drejtimin e vendit.
“66% e publikut mendon se Policia e Shteti po bën një punë të mirë krahasuar kjo me 36% në vitin 2013. Shikoni se çfarë ndryshimi drastik! Gati dyfish ka pësuar perceptimi që policia bën mirë punën e vet, krahasuar me 2013-n”, tha ministri Çuçi.
Sipas studimit, 80% e të intervistuarve deklarojnë se ndihen të sigurt kur ecin vetëm në lagjen e tyre pasi është errësuar. Kjo theksoi ministri Çuçi është një pyetje e rëndësishme për të kuptuar se Policia e Shtetit jep garanci tek publiku.
“Pra, në një farë mënyre njerëzit ndihen më të sigurt, pikërisht sepse krimet kanë ardhur në rënie, dhe e mendojnë vetë, e perceptojnë vetë që nuk do i vijë asnjë e keqe”, theksoi ministri.



