Kontrata e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës janë një nga çështjet më të mëdha të debateve publike, por dhe afera që deri më sot ka numrin më të madh të zyrtarëve të lartë të prangosur. Ish ministra, deputetë dhe deri te ish-zv/kryeministri, dyshohen se kanë favorizuar trekëndëshin e biznesmenëve Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja që të përfitojnë miliona euro nga buxheti i shtetit, për të ndërtuar 3 objekte që do të bëjnë incenerimin e mbetjeve, por asnjëri prej tyre nuk është në gjendje pune.
Inceneratori i Elbasanit ka përfunduar në vitin 2017 dhe është dorëzuar 3 vjet pas operimit, në dimrin e 2020-s, vit që u vendos nën sekuestro nga SPAK. Objekti nuk është në gjendje të mirë teknike dhe gjysmën e vitit, vendoset në remont.
Inceneratori i Fierit nuk ka përfunduar ende dhe pse paratë e kontratës janë paguar të plota nga ana e shtetit. Kompania që ka lidhur kontratën ka qënë në shkelje të afateve. Këto dy objekte që sot nuk zgjidhin asnjë problem të menaxhimit të mbetjeve, kanë kushtuar 70.2 milion euro.
Kontrata më e shtrenjtë është ajo e inceneratorit të Tiranës, 430 milion euro pagesa për një koncesion që zgjat 30 vjet. Koncesioni bazohet në modelin ndërtim, operim transferim dhe kompania e Integrated Energy Bv Spv vjel 29 euro për çdo ton mbetje që depoziton bashkia e Tiranës, ndërsa ndër vite territori i mbetjeve që depozitohen është zgjeruar dhe në bashkitë e Kavajës, Vorës dhe Durrësit.
“Në inceneratorin e Tiranës ishin të njëjtët persona në atë të Fierit dhe Elbasanit. Vonesa për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, jep mundësinë që këto para që paguheshin nga qeveria dhe Bashkia Tiranë për menaxhimin e mbetjeve të mos shkojnë në duart e personave që janë në kërkim dhe i shmangen drejtësisë dhe që tashmë janë të dënuar me vendimin e gjykatës së shkallës së parë si për hetimet e inceneratorit të Elbasanit dhe atij të Fierit.” thotë Aleksandra Bogdani, gazetare e Birn Albania.
Deri më sot kontrata për inceneratorin e Tiranës ka marrë 65.8 milion euro nga buxheti i shtetit dhe afërsisht 40 milion euro të tjera nga bizneset private, kryesisht të sektorit të ndërtimit, që depozitojnë dherat në landfill. Pavarësisht milionave që janë paguar, në Tiranë nuk ka incenerator!
Ky fakt u vulos dhe nga hetimet që ka kryer Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vendimi për të sekuestruar inceneratorin e Tiranës më 28 korrik 2023 ndaloi rrjedhjen e miliona eurove që shkonin në duart e personave të kërkuar nga drejtësia: Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, të dy të shpallur në kërkim për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit.
“Me aktet e administruara sipas prokurorisë, rezulton se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë ‘de facto’ pronarët e shoqërisë hollandeze ‘Geogenix B.V’, të cilët kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët.” thuhet në dosjen e SPAK për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës.
Dosja e SPAK tregon se institucioni që kërkoi fillimisht nisjen e një procedure partneritet publik- privat për menaxhimin e mbetjeve në Tiranë ishte bashkia e Tiranës, e mbështetur në një studim fizibiliteti të punuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare IFC dhe Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndëkombëtar JICA. Studimi i kësaj të fundit ka shkuar përmes një emaili në duart e Klodian Zotos nga këshilltari i ministrit Lefter Koka, Vladimir Bezhani.
“Me shkresën nr.22239, datë 23.12.2015 Bashkia Tiranë ka njoftuar Ministrinë e Mjedisit se Bashkia Tiranë së bashku me Koorporatën Ndërkombëtare Financiare, kanë përfunduar studimin për përmirësimin e shërbimit dhe trajtimit të mbetjeve në qytetin e Tiranës dhe për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat nëpërmjet partneritetit publik-privat.”, citohet në dosje.
“Ajo që është problem në këtë histori, është se kur institucionet bisedonin se cila do të ishte mënyra më e mirë për ta menaxhuar këtë procedurë, çdo gjë kalonte në emalin personal të Klodian Zotos dhe grupit që ishte gati për të marrë koncesionin. Ka patur një korrespodencë të gjatë për inceneratorin dhe disa institucione e kanë konsideruar problematike, nuk kishte para për këtë koncesion, nuk kishte analizë kosto-përfitim. Pavarësisht kësaj, proçesi është shtyrë përpara dhe gjurmët shkresore na tregojnë se personi që i shtynte ishte ish-ministri Lefter Koka. Nuk ka patur studim fizibiliteti , thotë Aleksandra Bogdani, gazetare e Birn.
Në datën 3 mars 2016, dy stafet e ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë Tiranë bien dakord që procedura të ndiqet nga Ministria e Mjedisit.
“Me shkresën kthim-përgjigje të Ministrisë së Mjedisit, konfirmohet se midis stafeve teknike të dy institucioneve është arritur në përfundimin që kjo procedurë të vazhdohet nga Ministria e Mjedisit duke propozuar ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës. Në lidhje me përgjigjen që do të jepte Ministria e Mjedisit në drejtim të Bashkisë Tiranë, për përmbajtjen e saj është vënë në dijeni më parë administratori dhe aksioneri i kompanisë ‘Integrated Technology Services’, shtetasi Klodian Zoto.”
Klodian Zoto, rezulton një nga përfituesit kryesorë të inceneratorëve dhe bashkëpuntor i ngushtë i Mirel Mërtirit që merrej me pjesën administrative dhe menaxheriale. Mërtiri duket se ka patur rolin e “trurit” në këtë skemë dhe del si personi që kontaktonte me kompani dhe biznesmenë jashtë për të krijuar bindjen se pas ofertave të tenderave kishte firma serioze dhe me përvojë.
Më 23 qershor të vitit 2016, Klodian Zoto angazhon kompanitë Paul Wurth dhe Energy Recuperator që bashkë me shoqërinë e tij Integtared Technology Systems, të dërgojnë një letër interesi pranë Ministrisë së Mjedisit në formën e një oferte të pakërkuar. Disa ditë më pas Ministria e Mjedisit e ka pranuar ofertën e pakërkuar dhe ka bërë kërkesë për dokumentacion shtesë, duke vënë në dijeni të përgjigjes dhe Bashkinë e Tiranës. Në muajin gusht, Integrated Energy Bv Spv i ka kthyer përgjigje ku i bashkëngjit dokumentacionin shtesë, por sipas prokurorëve dhe pse mungonte studimi i fizibilitetit që i hapte rrugë shqyrtimit të ‘ofertës pakërkuar’, studimi nuk ishte bërë ende.
“Nga kqyrja dhe marrja e dokumentacionit pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe nga korrespodenca shkresore me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, rezulton se nuk ka dokumentacion bashhkëlidhur shkresës së ofertës së pakërkuar. Po ashtu, nga të dhënat e administruara tek kompjuteri i shtetasit Klodian Zoto, sipas aktit të ekspertimit kompjuterik, rezulton se në datën kur është bërë propozimi i pakërkuar, shoqëritë ‘Energy Recuperator s.p.a’, ‘Paul Wurth Italia s.p.a’ dhe ‘Integrated Technology Services’, ende nuk e kishin hartuar studimin e fizibilitetit.”
Pavarësisht se studimi i fizibilitetit mungonte dhe është dërguar më 2 shtator 2016, ministri Lefter Koka nis punën për ngritjen e grupit të dhënies me koncesion të inceneratorit të Tiranës më datën 24 gusht 2016. Komisioni i dhënies së koncesionit zhvilloi 5 mbledhje për të diskutuar projektin e inceneratorit, në një kohë që po hasej rezistencë në miratimin e kësaj procedure nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Dhe pse fillimisht në këtë ministri, interesi për kalimin në duart e privatit të menaxhimit të mbetjeve ishte bërë nga bashkia Tiranë, as minsitri i Financave Shkëlqim Cani dhe as ministri që e pasoi, Arben Ahmetaj nuk po bindeshin. Ahmetaj kërkon argumentime se përse kosto përmes procedurës PPP është më e lirë se me prokurim publik dhe insiston te mënyra se si do të financohet projekti, duke qënë se Ministria e Mjedisit nuk kishte fonde të mjaftueshme. Projektvendimi për dhënien e bonusit në garë është kundërshtuar, thotë SPAK, dhe nga Ministria e Drejtësisë e cila ka kërkuar rivlerësimin e nismës dhe nga ministria e Marrëdhënieve me Parlamentin, që kishte konstatuar se kompania Integrated Energy B.v S.p.v nuk ishte e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Energjisë dhe Industrisë kishin dhënë miratimin.
Pas sqarimeve që dërgon Ministria e Mjedisit, ministritë japin miratimin me përjashtim të asaj të Financave. SPAK në dosjen e hetimeve për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj e trajton këtë bllokim, si një luftë force institucionale përballë Zotos dhe Mërtirit, për të cilët Ahmetaj kishte lobuar prej vitesh për të fituar kontrata publike.
“Në të njëjtën ditë që shtetasi Arben Ahmetaj në rolin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik kishte paraqitur propozimin pranë Këshillit të Ministrave për të rritur rolin e ATRAKO-s në procedurat e koncesioneve dhe partneriteteve publike-private, shfaqet angazhimi i bashkisë Tiranë në fushën e mbetjeve.” thuhet në dosjen e SPAK për hetimin e Arben Ahmetaj.
Pas kërkesave të shumta për sqarime, procedurën për inceneratorin e Tiranës e zhbllokon një letër e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili merr përsipër pagesën e detyrimeve që do të vinin nga koncesioni. Në këtë moment, ministria e Financave dërgon miratimin duke shkruar “Pa koment!”.
Pas hapjes së tenderit nga Ministria e Mjedisit, oferta e vetme e cila rezultoi edhe e vlefshme, ishte ajo e kompanisë Integrated Energy B.v S.p.v. Dosja e SPAK thotë se Komisioni i Dhënies së Koncesionit ka patur një diskutim të ngritur nga kryetarja Valbona Ballgjini dhe që është mbështetur nga dy antarë të tjerë që përfaqësonin Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve, Erjon Murataj dhe Sidita Temali, të cilët kanë kërkuar që në kontratë të përfshihej detyrimi që të miratohej më parë nga Këshilli Bashkiak, por kjo kërkesë është refuzuar si nga kompania koncesionare dhe nga përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë Namik Simixhiu dhe Taulant Tusha.
“Komisioni i dhënies së koncesionit ka mbajtur procesverbalin e mbledhjes në të cilën është diskutuar në lidhje me draftin final të kontratës. Në këtë takim ka patur debat në lidhje me diskutimin e ngritur nga Kryetarja e Komisionit, por edhe nga 2 anëtarë të tjerë, përfaqësues të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, përsa i përket futjes në kontratë të detyrimit që kontrata të miratohej me vendim të Këshillit Bashkiak përpara hyrjes në fuqi të saj. Kjo kërkesë nuk është mbështetur nga ana e shoqërisë, por as nga përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë dhe nuk është bërë pjesë integrale e kontratës.”
Prokuroria ka zbuluar në kompjuterin e Klodian Zotos mënyrën se si ai bashkë me Mirel Mërtirin frynë kostot e investimeve për inceneratorin e Tiranës nga 102 milion euro që ishte nevoja reale në 128 milion euro. Kjo është verifikuar nga disa e-maile që Zoto i ka dërguar kompanive Paul Wurth dhe Energy Recuperator.
“Të nderuar zotërinj, bashkëngjitur është plani real i biznesit dhe jo ai që i kemi dërguar shtetit. Me respekt, Klodian Zoto.” shkruan Klodian Zoto në një e-mail për firmat italiane.
Disa preventivë që dërgonte Zoto, ktheheshin pas nga Mërtiri i cili rishikonte çmimet e njësive. Kështu te preventivi “Mbyllja e landfillit ekzistues”, Mërtiri i shton kostot me 900 mijë euro, nga 12 milion euro në 12.9 milion. Po ashtu ekonomisti i kompanisë Consult SE Partners që mbante bilancet e kompanive të dyshes Zoto-Mërtiri, Erton Kaleshi, sugjeron shtesën e disa zërave që tarifa për ton të dilte e lartë dhe të jepej përshtypja që marzhi i fitimit për koncesionarët është më i ulët.
“Përshëndetje, bashkëngjitur po iu nis tabelën e llogaritjes së tarifës 29 euro/ton. Nëqoftëse do të zbatojmë të dhënat sipas planit të biznesit që kemi bërë, atëherë e ardhura për shoqërinë koncesionare do të jetë 14.46 euro/ton. Mendoj që të ulim të ardhurën e shitjes së skrapit, në mënyrë që marzhi i fitimit të shoqërisë koncesionare të ulet në evidentimin e tarifës.” shkruan në një email Erton Kaleshi, që del nga sekuestrimi i kompjuterit të Klodian Zotos.
Nga analiza e librave të shitjes që ka bërë prokuroria, rezulton se koncesionari Integrated Energy B.v S.p.v ka arkëtuar 54.7 milion euro nga bashkia e Tiranës, 1.3 milion euro nga ajo e Kavajës dhe 170 mijë euro nga bashkia Vorë. Nga 56.2 milion euro që janë arkëtuar nga entet shtetërore, 35.2 milion euro kanë shkuar për shoqërinë Integrated Technology Services, në pronësi të Klodian Zotos, për shërbime dhe punimet që ITS ka bërë për inceneratorin.
“Nga analizimi i llogarive bankare që shoqëria koncesionare ‘Integrated Energy Bv. Spv.’ disponon në bankën Credins dhe Raiffeisen, rezulton se shoqëria e shtetasit Klodian Zoto ‘Integtrated Technology Services’ ka përfituar nga shoqëria ‘Integrated Energy Bv. Spv.’ vlerën monetare 3 miliard lekë dhe vlerën 6.7 milion euro. Në rrethanat e mësipërme, rezulton dukshëm mospërputhje ndërmjet shumës monetare të paguar nga shoqëria koncesionare ‘Integrated Energy Bv. Spv’ në drejtim të shoqërisë ‘Integtrated Technology Services’, krahasuar me faturimet e kryera nga kjo e fundit.”, thuhet në dosjen e SPAK.
Prokuroria ka arritur të verifikojë dhe skemat për prerjen e faturave për kompani që ekzistonin vetëm në letra, me qëllim nxjerrjen e parave jashtë arkës së inceneratorit të Tiranës për të shkuar në xhepat e shtetasve Zoto dhe Mërtiri.
“Nga aktet e administruara rezulton se shoqëria e shtetasit Klodian Zoto ‘Integtrated Technology Services’ në lidhje me kontratën koncesionare ku rezultojnë aksionerë 'de facto’ shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ka përfituar në saj të faturave tatimore të falsifikuara vlerën monetare 409 milion lekë, duke paraqitur fatura për punime të kryera si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare me subjekte fiktive, të cilët rezultonin të regjistruar si operatorë ekonomikë, por që nuk kanë ushtruar asnjëherë ndonjë aktivitet real tregtar.”
Pronarët me letra të kompanive fiktive kanë thënë përpara prokurorisë se nuk e dinin që zotëronin firma që xhironin miliona euro.
“Nuk kam themeluar ndonjë operator ekonomik me emrin ‘Lumi 06’ dhe nuk kam dijeni se kush e ka themeluar dhe regjistruar këtë kompani. Unë nuk kam kryer ndonjë aktivitet tregtar në emër të kësaj shoqërie.” ka deklaruuar përpara hetuesve të SPAK Lumturije Murati, pronarja në letra e kompansië ‘Lumi 06’.
Çështja e inceneratorit të Tiranës nuk përmban akuza për zyrtarë të rinj, por deri në hetimet e deritanishme, duket se situata ligjore e ish-deputetit socialist Alqi Bllako, i cili mbante në kohën e dhënies së koncesionit postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit do të rëndohet. Prokuroria ka gjetur se si Mirel Mërtiri ka paguar për blerjen e një linje teknologjike për mbushjen e shisheve të birrës 119 mijë euro, ku përfitues ishte babai i Alqi Bllakos, Edmond Bllako.
“Shtetasi Alqi Bllako, me cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministirsë së Mjedisit ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 119.755 euro, me qëllim favorizimin gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, shoqërinë ‘Integrated Energy Bv. Spv.’, në përbërje të së cilës ka qënë aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto. Shtetasi Alqi Bllako me veprimet e kundraligjshme dyshohet se ka kryer veprën penale 'korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione të larta shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë’.” citohet nga hetimet që ka kryer SPAK për inceneratorin e Tiranës deri në momentin e dorëzimit të kërkesës për sekuestrimin e objektit.



