Avokati Franc Nuri, vendimin e dytë të Gjykatës së Posaçme që lejon SPAK të kontrolloj banesën e dytë të kryebashkiakut Erion Veliaj te kullat në bulevard e sheh si të vonuar, edhe pse brenda kuadrit ligjor.
Duke folur për edicionin e lajmeve të MCN TV, Nuri tha se është një veprim hetimor i parashikuar për këto lloj hetimesh të cilat kërkojnë sekuestrimin e të gjitha elementeve dhe dokumenteve fizik apo elektronikë në mënyrë që t'i jepet mundësi agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit apo SPAK që të ndërthurin të dhënat me deklaratat e personit në fjalë.
Por sipas tij është një vendim i vonuar, pasi mund të ishte kryer më parë, pasi para një muaji ka pasur kontrolle të tjera qoftë në banesën e çiftit Veliaj.
Nuri ngre shqetësimin për rrezikun e prishjes së provave dhe ndikimit të dëshmitarëve për sa kohë që Erion Veliaj vijon ende detyrën e kryebashkiakut.
Ka pasur kontroll te “Kodra e Diellit” para një muaji, te banesa e çiftit Veliaj dhe te godina e “Sky Tower” ku ndodhet qendra “Harabel” në një apartament të dytë.
Kjo ndjell dyshim se të njëjtën godinë ku ndodhet “Harabel” që u kontrollua, u zbulua tani pas kaq javësh që ka dhe një apartament.
Nëse kanë qenë brenda një godine do kishte qenë më efikase nga ana e hetimit që kontrollet të ishin bërë më herët.
Se jo të gjitha elementët që mund të gjeje para një muaji të mund ti gjesh dhe tani.
Uroj që kjo distancë kohore të mos ketë shërbyer për fshehjen e provave. Interesi është që hetimi të ecë me ritme më të shpejta.
Veliaj është person nën hetim jo nën akuzë, se po të ishte nën akuzë, do të ishte thirrur dhe komunikuar akuza bashkë me avokatin mbrojtës. Do ishte bërë komunikatë nga SPAK.
Akuzë nuk ka të komunikuar, të paktën sipas informatave që kemi. Dy herët e fundit që Veliaj është paraqitur në SPAK, është shoqëruar nga një jurist i bashkisë Tiranë.
Kur prokuroria thërret dikë dhe i komunikon listën e të drejtave dhe akuzat, duhet që personi të jetë i shoqëruar me një avokat.
Problem është që po zhvillohen hetime ndaj kryebashkiakut më të fuqishëm në vend që ushtron këtë detyrë prej vitesh dhe nuk ka asnjë masë personale sigurimi nga ana e gjykatës dhe nuk kemi të dhëna nëse është kërkuar nga ana e prokurorisë një gjë e tillë.
Se ekziston risku që të mund të ndikohet te dëshmitarët. Janë vendosur masa të forta si “arrest shtëpie” dhe “arrest me burg” edhe për persona nën hetim, si ndaj ish-Presidentit Meta, i cili është nën hetim, por ende nuk është vënë nën akuzë.
Edhe zoti Berisha që u mbajt një vit në “arrest shtëpie” pa pasur akuzë. Kemi standard të dyfishtë.
Zoti Berisha dhe zoti Meta nuk janë në pushet dhe nuk kanë rrezikshmëri për prishjen e provave apo ndikuar te provat dhe hetimet, siç mund të rrezikohet në rastin e zotit Veliaj që është në pushtet dhe detyrë.
Ekziston mundësia për të ndikuar në proces në një mënyrë apo një tjetër, ndaj duhet të kishte një masë.
Akuzat për fshehje të pasurisë, korrupsion dhe pastrim të parave janë vepra penale të rënda në aspektin financiar dhe krimin ekonomik.
Dhe kjo gjë mund të justifikonte marrjen e një mase jo vetëm ndaj kryebashkiakut por edhe persona të tjerë të përfshirë.
Korrupsion pasiv do të thotë personi që i merr të ardhura të paligjshme, i bie të jetë zyrtari dhe korrupsioni aktiv personi që tenton të korruptojë një zyrtar të caktuar.
Nuk mund të jenë dy akuza ndaj të njëjtit person, duhet të jenë të paktën dy persona të përfshirë në hetim.
Marrja e dëshmitarëve në pyetje njëri pas tjetrit, nuk ka të bëjë me rendin e hetimit.
Se ndoshta nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me hetimin që po zhvillohet në këtë moment. Mund të kenë pasur lidhje me ngjarje të tjera.
Thjesht rendi i marrjes në pyetje të personave mund të jetë bërë me qëllim.
Dokumenti është firmosur nga gjyqtarja por edhe dy prokurorë, Altin Dumani dhe Ols Dado, dy prokurorë që drejtojnë çështjen bashkërisht.
Këta dy prokurorë kanë kërkuar gjykatës që të bëjnë kontroll në atë banesë për gjetjen e dokumenteve shkresore ose elektronike, çdo lloj dokumenti që mund t’i vlejë hetimit.
Dumani është një nga prokurorët që po heton çështjen Veliaj.
Atij i lejohet të hetojë dhe dokumenti e vërteton më së miri se është i përfshirë në dosje hetimore të caktuara.



