Një person i dënuar për vrasje dhe tentativë vrasje, është vënë në prangat e policisë së Pogradecit i kapur me kokainë, armë zjarri dhe sende të forta.
“Cold Hand” u kodua operacioni gjatë të cilit u arrestua Fabian Muçollari, 27 vjeç, banues në Pogradec, me rrezikshmëri shoqërore.
Gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës në lagjen nr. 1, Pogradec, Muçollarit iu gjetën në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, dy armë zjarri pistoletë, 1 silenciator, 3 krehra, 1 shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 5 aparate celularë, 2 karta banke, 1 pasaportë biometrike dhe një shumë parash (lekë, euro dhe dollarë australianë).
Gjithashtu u sekuestrua dhe automjeti i tij. Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Korçë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Fabian Muçollari në vitin 2016 vrau një adoleshent pas sherrit për një vajzë, kohë kur dhe viktima dhe autori ishin të mitur.



