
Lëvizja Bashkë po proteston përpara Kuvendit të Shqipërisë duke kërkuar vendosjen e minimumit jetik.
Aktivisti Klodi Leka tha në fjalën e tij se në këto 6 muaj kemi parë abuzim me paranë publike, një situatë sociale dhe ekonomike skandaloze, por nuk flet askush për minimumin jetik.
“Në këto 6 muaj kemi parë se si deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ia dyfishuan rrogën vetes së tyre, duke e çuar në 3 milionë të vjetra, ose baraz me 39 pensione minimale. Pra një deputet sot paguhet sa 39 pensionistë. Në këto 6 muaj kemi parë ministra, zv.ministra, zv.kryeministra, që të shkojnë në burg për afera korruptive skandaloze qindra miliona euroshe. Në këto 6 muaj kemi parë se si Presidenti abuzon me paranë publike, duke marrë shokë, miqë, edhe familjarë për në Nju-Jork, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dhjetëra mijëra dollarë shpenzime të panevojshme.
Në këto 6 muaj kemi parë se si çmimet e shportës, çmimet e qirasë, dhe kostot e përgjithshme të jetesës janë rritur në mënyrë të papërballueshme. Por vetëm për minimumin jetik të mos flitet. Situata sociale dhe ekonomike e qytetarëve shqiptarë, sot është skandaloze, është në kufijtë e ekzistenciales”, tha Leka.



