Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka ftuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në SHBA gjatë këtij viti. Një lajm i tillë është bërë e ditur nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa ka shprehur shqetësimin për projektin e rinovimit të sistemit gjyqësor, i cili ka ngjallur protesta të gjera në Izrael. Biseda telefonike e të hënës mes dy liderëve erdhi në prag të vizitës së presidentit izraelit Isaac Herzog në Shtëpinë e Bardhë. Administrata e Biden nuk specifikoi nëse Biden do të presë Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë apo në Nju Jork në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ky do të ishte takimi i parë mes dy krerëve të shteteve pas kthimit të Netanyahut si kreu i qeverisë izraelite në fund të vitit 2022.



