
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 50 mijë lekë gjobë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, për akuzën e shpifjes.
Padia e bërë nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka të bëjë me çështjen 'Toyota Yaris'.
Basha e ka akuzuar publikisht Ballën se ishte garant i 3.4 milionë eurove, që u gjetën në 2 automjete “Toyota” në Portin e Durrësit në tetor të vitit të kaluar.
Në përfundim të seancës së sotme gjyqësore, kreu i grupit parlamentar socialist, tha se vendimi tregon se drejtësia e re po jep efektet e para.
“Nga sa kuptuam nga arsyetimi i gjykatës, ne duhet të kuptojmë se para se të jemi politikanë jemi qytetarë. Të drejtën tonë për deklarime publike nuk duhet ta shfrytëzojmë për shpifje të ulëta. Ky vendim është historik, për të cilin ne politikanët duhet të reflektojmë gjatë. Basha sot është shpallur fajtor dhe i detyrohet shtetit të shlyejë dënimin që dha gjykata. I kërkoj PD-së të heqë dorë nga politika e saj e bazuar në shpifje dhe të reflektojë në marrëdhëniet ndërinstitucionale me Kuvendin, me PS apo institucionet shtetërore. Drejtësia e re ka filluar të japë efektet e para. Do të jetë ajo që do të hetohjë siç duhet edhe krimin e 21 janarit 2011”, tha ai.
Por për mbrojtësin ligjor të kreut të PD-së, vendimi është qesharak përsa kohë çështja e 3.4 milionë eurove është nën hetim. Avokati i tij, Gazmend Bardhi, tha se drejtësia e kapur po dënon ata që thonë të vërtetën. Ai shtoi se
“Vendim qesharak. Gjykata e ka zëvendësuar organin e prokurorisë me policië e Ballës. Mjafton që policia e Ballës të thotë se ai nuk ka përgjegjësi për milionat e kapura në portin e Durrësit dhe nuk kanë rëndësi hetimet e prokurorisë. Në çdo rast, sistemi i drejtësisë i kapur nga Edi Rama dënon personin që akuzon dhe jo personin e akuzuar. Edhe Zagani u dënua për shpifje ndaj Saimir Tahirit”, tha ai.



