Ende pa u përfunduar mirë gjysma e punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, punonjësit kanë protestuar mëngjesin e kësaj të mërkure.
Ata qëndruan në hyrje të kantierit të ndërtimit në zonën e Akërnisë, për shkak se nuk janë paguar.
Punonjësit pretendojnë se kanë disa muaj pa marrë pagat dhe paralajmërojnë pezullim të punës nga ana e tyre.
Protesta është zhvilluar herët në mëngjes, ndërsa kanë zhvilluar edhe një takim me përgjegjësit e firmës ku u është premtuar se deri të premten do të kalohen te gjitha pagat.
Një pjesë e tyre janë larguar në shtëpi dhe një pjesë i janë rikthyer punës deri ditën e premte.
Në përgjigje të kësaj proteste ka reaguar aeroportin i Vlorës, i cili sqaron se punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës po vijojnë plotësisht në normalitet dhe nuk ka pasur asnjë pezullim të tyre.
Projekti vazhdon sipas planeve dhe afateve të përcaktuara, duke përfshirë të gjitha aktivitetet e ndërtimit dhe zhvillimit të infrastrukturës. Disa mosmarrëveshje që kanë ndodhur janë të lidhura me një nënkontraktor specifik dhe një grup të vogël punonjësish të tij, të cilët kanë shprehur ca shqetësime në lidhje me pagat e tyre.
Ky është një problem i izoluar mes nënkontraktorit dhe punonjësve të tij, dhe nuk ndikon në vijueshmërinë e përgjithshme të punimeve në kantierin e aeroportit.



