
Një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor është paraparë të zhvillohet sot në Tiranë. I pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli. Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit sivjet kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë. Deri më tani i vetmi që nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen është kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili nuk ka marrëdhënie të mira me kryeministrin Rama, pasi ky i fundit anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Kosovë. Megjithatë, as ky takim joformal nuk pritet të ulë në një tryezë kreun e ekzekutivit shqiptar, Rama, dhe homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh. Por megjithatë Kurti konfirmoi pjesëmarrjen e Kosovës në takimin në Tiranë me anë të zv/kryeministrit Besnik Bislimi. Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, sipas një njoftimi nga zyra e tij, të hënën do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri helenik, George Papandreou. Ndërkohë që do të marrë pjesë kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Borjana Kristo Bosnjë&Hercegovinës Nermin Nikshiç si dhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç. Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian. Takimi informal do të mbahet në vilën 30 dhe po aty do të zhvillohet ne orën 13:00 edhe një drekë informale. Në këtë takim nuk është planifikuar të ketë asnjë deklaratë apo konferencë, duke qenë se është informal.



