Ish-deputeti Aldo Bumçi, thotë se e priste reagimin ndaj Lulzim Bashës, pas humbjes së zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit dhe më konkretisht, renditjen i treti në 5 nga 6 bashki.
Nga studio e lajmeve të MCN Live, Bumçi tha se realiteti i demokratëve ishte ai i 11 dhjetorit, referendumi, ndërsa në selinë e PD, shtoi ai, duket sikur ka një botë tjetër, që nuk ka lidhje me atë që ndodh në Shqipëri.
Është e rëndësishme që dje, anëtarët e grupit parlamentar folën dhe ne duhet të shkojmë, drejt një bashkimi, një zgjedhje. Ne duhet ti shërbejmë të mirës dhe të mos mbajmë qëndrime të ngurta. Demokratët e kanë mekanizmin e tyre nëpërmjet votës. Vlerat e qendrës së djathtë na bëjnë bashkë. Çfarë na bashkon ne është mbi 90%, ajo që na ndan është sjellja jopolitike e zotit Basha, i cili mbasi humbi zgjedhjet, mori vendim tërësisht personale ndaj zotit Berishës.
Bumçi shtoi më tej, se selia e PD, mbahet peng nga një person, që nuk respekton interesat e demokratëve dhe asgjë që lidhet me opozitën dhe demokratët.
Sipas tij, sjellja e Bashës ka kaluar çdo limit dhe se më 6 mars, u mor ai rezultat, sepse kandidatët ishin përfaqësues të zotit Basha, “kandidatët e tij, morën koston e personit të cilit i emëroi”.
6 marsi solli lajmin më të mirë ndër vite, që ka një opozitë të vërtetë. Kishim dy pjesë të PD, demokratë janë të gjithë, por kishte qartësi, shumica e demokratëve dhe opozitarëve, janë me opozitën e vërtetë, rithemelimin e PD. Nuk mund të vritet shpresa, në këtë vend ka opozitë, projekti i zhdukjes së opozitës, mbas 25 prillit mori fund. U godit rëndë opozita shqiptare. Do të bëhej një vend me sulltan si Putini, se opozita ishte në letër, institucionet në letër. Sot ka një lajm, opozita e vërtetë ekziston. Njerëzit dolën dhe ne fituam Shkodrën, aty filloj ndryshimi i madh i Shqipërisë. Shkodra ka bërë një dhuratë të madhe, se në këtë vend nuk mund të sundohet më dhe nuk mund të pranohen opozitat e kapura”.
Bumçi shtoi se kryetari që humb largohet, duke nënvizuar se Partia Demokratike është me burime të jashtëzakonshme.
Zoti Basha është deputet, e ftoj që të qëndrojë i tillë.



