Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e radhës ka plotësuar vendet vakante në disa gjykata në vend. Në mbledhjen e sotme, anëtarët e KLD-së, pasi konsultuan procesverbalin e testimit, raportet mbi shqyrtimin e kandidatëve me tabelat përkatëse, vendosën t'i propozojnë Presidentit të Republikës, emërimin në Gjykatën e Apelit Durrës, të z. Tritan Hamitaj, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Durrës; emërimin në Gjykatën e Apelit Vlorë të gjyqtares Brikena Ukperaj (Lubonja) aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Lushnje dhe gjyqtarit z. Ilir Çeliku, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Tiranë, si dhe emërimin në Apelin e Krimeve të Rënda, të z. Idriz Mulkurti, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Gjithashtu janë shqyruar kandidaturat, për plotësimin e 6 vendeve vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Me shumicë votash, KLD-ja vendosi të transferojë z. Niko Rapi, aktualisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Pogradec, z. Erion Bani, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë, Shkodër, znj. Irena Plaku, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë, Korçë dhe znj. Anila Karanxha, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë, Lushnje. Gjithashtu Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Tiranë, të z. Kujtim Vraniçi, aktualisht Inspektor pranë KLD-së, dhe të Ahmet Metaliaj, ish gjyqtarë.
Pas transferimit të gjyqtarit z. Niko Rapi, Këshilli vendosi delegimin e gjyqtares znj. Emona Muçi, për të ushtruar detyrën në funksionin drejtues të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec. Gjithashtu, me propozim të ministrit të Drejtësisë, anëtarët e KLD-së, vendosën të shpallin vendin vakant për funksionin drejtues të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë, Pogradec.
Gjithashtu, Këshilli me miratimin e transferimit të gjyqtarëve të mësipërm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me propozim të ministrit të Drejtësisë bëri shpalljen publike për një afat 20 ditor, të katër vendeve vakante në gjykata, përkatësisht 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Pogradec, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Korçë, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Shkodër, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Lushnjë.
Këshilli, vijoi më pas me zhvillimin e procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë, Tiranë dhe kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si kryetare të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, të znj. Enkelejdi Hajro, dhe emërimin si kryetare të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Lezhë, të znj. Ornela Naqellari .
Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e KLD-së, diskutuan dhe shqyrtuan propozimin për emërimin e një inspektori pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të diskutimeve, me shumicë votash anëtarët e KLD-së, vendosën të emërojnë inspektor pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë znj. Brunilda Çarçiu.



