
Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi më 21 janar 2011. Pas asaj që shqiptarëve iu panë sytë në programin “Fiks fare”, ku dy ministra të asaj periudhe (njëri prej të cilëve ishte Ilir Meta) ishin duke shkëmbyer tangjente, socialistët, që atëbotë ishin në opozitë, organizuan një nga protestat më të mëdha që kanë organizuar ndonjëherë. Në të njëjtën kohë, ajo ishte një protestë e dhunshme. Njerëzit që ishin në krye të turmës, e cila u vendos përballë ndërtesës së kryeministrisë, ishin me të vërtetë të dhunshëm. Ata ishin programuar për të qenë të dhunshëm. Për më shumë se një orë, pati kacafytje e konfrontime fizike midis atyre dhe policisë së Republikës. E megjithatë, në fund fare, pas një a dy orësh, protestuesit u panë të largoheshin. Turma u pa të shpërndahej. Njerëzit po iknin nga kryeministria. Dhe pikërisht në atë moment, në mënyrën më të pashpjegueshme e të pakuptueshme, dikush nga autoritetet u dha urdhër gardistëve që të shtinin me plumba realë ndaj protestuesve që kishin mbetur në shesh. Dhe si pasojë, mbetën të plagosur me dhjetëra vetë, dhe u vranë katër persona, të cilët ishin të paarmatosur, të parrezikshëm, të pafajshëm.
Pas kësaj, për minuta të tëra, nëpër studiot televizive e konferencat e shtypit, Sali Berisha bëri të gjitha përpjekjet, që këtë krim t’ia faturonte opozitës. Bëri të gjitha përpjekjet që të shpallte fajtore palën e dëmtuar, të shpallte fajtore viktimën. Për fat të mirë, për shkak të punës fantastike të disa gazetarëve dhe kameramanëve, në harkun e pak minutave, pas deklaratave të Berishës, të gjithë shqiptarët patën mundësi të informoheshin se ata që kishin shtënë mbi turmën ishin gardistët. Pas kësaj, Berisha e mori përsipër krimin e kryer, dhe filloi të fliste për një grusht shteti. Pas kësaj, ishte prokuroria që u përpoq të vepronte. Ata kërkuan që të nisnin menjëherë hetimet dhe të arrestonin në flagrancë krerët e gardës. Sali Berisha, kryeministri i vendit, i cili nuk kishte asnjë tagër për të refuzuar një kërkesë të tillë, e refuzoi atë. Ai nuk ia dorëzoi prokurorisë krerët e gardës. Madje, ai e etiketoi kryeprokuroren publikisht si “putanë bulevardi”. Ndërsa, Presidentin e Republikës, i cili sipas tij ishte pjesë e grushtit të shtetit, e konsideroi “një horr bulevardi”. Në të vërtetë, ai ishte vetëm një “pufte bulevardi”.
Pas kësaj, ai u përpoq të zhdukte të gjitha provat e mundshme, që provonin se krimi ishte kryer në kundërshtim me ligjin nga gardistët e urdhëruar nga dikush. Dhe midis disa provave që ai shkatërroi, ishin disa materiale filmike të regjistruara nga kamera e varur në fasadën e kryeministrisë. Më vonë, siç e dimë të gjithë, u bë një hetim çfarëdo nga njerëzit e Berishës, u bë edhe një gjyq çfarëdo nga gjyqtarët e Berishës, dhe çështja u arkivua. Gjithsesi, ajo ka qenë gjithmonë e hapur për diskutim publik, veçanërisht kur vjen janari. Megjithatë, çështja nga ana ligjore dhe zyrtare është quajtur e arkivuar.
Kjo situatë do të ishte e tillë deri përpara disa ditësh. Sepse disa ditë më parë, çështja është shtruar përsëri për zgjidhje. Dhe ai që e rihapi këtë çështje quhet Lulzim Basha. Në mbrëmjen e ditës kur Sali Berisha, në krye të dhjetëra vetëve, përfaqësues të personave të mbledhur në dhjetor, në stadiumin “Arena”, zbarkoi në ndërtesën e SHQUP-it, që është selia e Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se: “unë sot mund të bëja atë që bëri Sali Berisha më 21 janar, por unë nuk u solla si Sali Berisha”. Me këtë frazë, ai la të nënkuptohej se më 21 janar, kur Lulzim Basha ishte ministër i Punëve të Brendshme, urdhrin për të shtënë mbi turmën e ka dhënë Sali Berisha. Një deklaratë e fortë që kapi në befasi gjithkënd. Është një deklaratë shumë e fortë. Me siguri, të gjithë kanë bërë pyetjen: “Po ky, ku ka qenë për gjithë këto vite me radhë? Ministri i Brendshëm ka fshehur një krim?! Kjo është një vepër penale.” Në të vërtetë, ajo është një vepër penale dhe prokuroria duhet të veprojë. Unë prisja nga pjesa berishiane, të dilte e t’i kërkonte prokurorisë të vepronte ndaj këtij njeriu, sepse edhe ata duhet të jenë të interesuar që çështja të zbardhet deri në fund, dhe e vërteta të dalë në shesh. Por ata nuk e bënë këtë gjë. Pas deklaratës të Lulzim Bashës, ata janë parë të ndrojtur. Për vite të tëra, që pas 21 janarit të vitit 2011 e deri më sot, ata kanë qenë në ofensivë, kanë luajtur gjithmonë në sulm, kur vinte diskutimi te kjo çështje. Ndërsa këto ditë, ata po luajnë në mbrojtje. Ditën e enjte, i ftuar në programin “Opinion”, Berisha tha se atë ditë ai kishte qenë në zyrën e tij. Duke lënë të nënkuptohej se ai kishte qenë i izoluar, i shkëputur nga bota dhe i painformuar nga ajo që po ndodhte përreth, pa e ditur gjithashtu se ku ishte Lulzim Basha. Pra, ai linte të nënkuptohej se ishte Lulzim Basha personi që ka dhënë urdhrin për të shtënë mbi protestuesit.
Në fakt, të njëjtën gjë që shprehu Berisha, e tha më herët edhe Arben Imami, një nga njerëzit më të afërt të tij jo vetëm në datën 21 janar 2011, por një nga njerëzit më të afërt të Berishës edhe sot. Dhe ai doli e tha se: “Atë ditë, Berisha ka qenë në zyrën e tij, dhe urdhrat i ka dhënë Lulzim Basha.” Dhe në vijim, shtoi se: “Ne duhet të bëjmë një pyetje për të marrë vesh të vërtetën: “Kush ishin njerëzit që përfituan nga ky krim? Ishin Lulzim Basha dhe Edi Rama, sepse i pari u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërsa Edi Rama u bë kryeministër.” Në vijim, Arben Imami shtoi se është edhe një person i tretë që është në prapaskenë dhe tërheq fijet e pupacëve që quhen Basha dhe Rama. Uau!!!
Përveç Imamit foli edhe një djalë i urtë e i shtruar që e ka emrin Oerd Bylykbashi. Ky i fundit tha një gjë të vërtetë, që ne të gjithë e dimë: “Atë ditë, Lulzim Basha ka qenë bashkë me snajperët në tarracën e kryeministrisë, në cilësinë e shefit të policisë, duke urdhëruar të vetët. Madje është parë edhe me dylbi.” Gjithçka është e vërtetë në këtë pohim. E vërteta ka qenë pikërisht kështu. Dhe ai la të nënkuptohej se urdhrin për të shtënë kundër demonstruesve që po largoheshin, e ka dhënë Lulzim Basha.
Siç e vini re, ngjarja është rishfaqur. Këtë herë, ajo është rishfaqur seriozisht. Prokuroria e Përgjithshme duhet ta rihapë dosjen. Ne e dimë se ka pasur një proces hetimor e gjyqësor për këtë gjë, dhe se ka edhe një vendim gjyqësor të formës së prerë, por deklaratat dhe qëndrimet e këtyre njerëzve, që në atë kohë kanë qenë ministra dhe kryeministra, dhe që sot janë po aq të rëndësishëm në terma politikë, po sjellin fakte të reja. Prandaj, prokuroria duhet ta thërrasë Lulzim Bashën, në mënyrë që ky i fundit ta shndërrojë në dëshmi deklarimin që bëri. Dhe pas Lulzim Bashës, prokuroria duhet të thërrasë edhe tjerët, jo vetëm këta që kanë folur, por edhe ata që nuk kanë folur, por që dinë shumë, duke nisur nga Berisha, Imami, Bylykbashi e të tjerë. Kjo çështje duhet të rihapet. Kësaj çështjeje duhet t’i shkohet deri në fund. Është një nga abuzimet më skandaloze, një nga ndyrësitë më spektakolare që shteti shqiptar ka bërë ndaj shtetasve të vet, ndaj qytetarëve të këtij vendi.



