Aktivistja suedeze mjedisore Greta Thunberg është dënuar në gjykatë me gjobë për moszbatimin e urdhrit të policisë. Efektivët e policisë i kishin kërkuar Gretës që t’i jepte fund një proteste për klimën të ndërmarrë në qytetin e Malmos më 19 qershor. Por ambientialistja kishte bllokuar, së bashku me një grup aktivistësh, rrugën ku udhëtonin kamionë që transportonin naftë drejt portit të Malmos, në jug të Suedisë. Thunberg pranoi se kishte marrë pjesë në protestë dhe nuk iu bind urdhrit të policisë, por u deklarua e pafajshme duke thënë se po vepronte nga nevoja. “Veprimet e mia janë të justifikueshme”, i tha ajo gjykatës. “Unë besoj se jemi në një emergjencë që kërcënon jetën, shëndetin dhe pronën. Njerëz dhe komunitete të panumërta janë në rrezik afatshkurtër dhe afatgjatë”. Për momentin nuk dihet shuma e gjobës që Greta do të duhet të paguajë dhe e cila do të bazohet në të ardhurat e deklaruara nga Thunberg.



