
Ai Weiwei
Ngjarjet e 4 qershorit 1989, kur qeveria kineze përdori të gjithë pushtetin ushtarak për të pastruar sheshin “Tiananmen” nga studentët që protestonin paqësisht në të, njihen në Kinë si "Incidenti i 4 Qershorit". Tridhjetë vjet më vonë, kjo ngjarje ende konsiderohet si një "incident", një ngjarje e vetme. Në fakt, ajo ishte pjesë e një lëvizjeje politike në të cilën morën pjesë njerëz nga çdo qytet i madh kinez. Deri më sot, nuk është dhënë një përkufizim i plotë i 4 qershorit 1989 si ngjarje historike, sepse përcaktimi i një ngjarjeje historike kërkon jo vetëm faktet e plota, por edhe këndëvshtrime të shumta. Dhe pas kësaj, qeveria kineze intensifikoi kontrollin e lirisë së shprehjes në Kinë, duke vendosur taktika të ndryshme për të shtypur, arrestuar, ndaluar dhe burgosur të gjithë ata që flisnin për "4 qershorin". Ajo mbetet tema më e ndjeshme tabu dhe politike në Kinë, ashtu si çështjet e Tibetit dhe Xinjiangit për Partinë Komuniste Kineze (CCP) dhe makinën e saj të propagandës dhe censurës. Megjithatë, faktet dhe rëndësia e 4 Qershorit nuk diskutohen në Kinë. Ngjarjet e sakta, personat përgjegjës për nxjerrjen e direktivave, mënyrat e ekzekutimit, numri i personave të vrarë e të paraburgosur dhe vrasësit përgjegjës për vendimet kumulative politike mbeten të paqarta.
Cila është domethënia e saj tani, 30 vjet më vonë? Nevoja për të shqyrtuar këtë pyetje është jetike, racionale dhe urgjente. Nëse Partia Komuniste e Kinës u mbështet në një revolucion të dhunshëm për të përmbysur regjimin e mëparshëm dhe për të vendosur legjitimitetin e saj, atëherë 4 Qershori edhe njëherë përmbysi legjitimitetin e partisë në pushtet. Partia Komuniste është një regjim që përdori dhunën para dialogut, duke drejtuar ushtrinë dhe tanket e saj kundër qytetarëve të paarmatosur për të ruajtur pushtetin e vet. Përkundër përpjekjeve për të mbuluar, për ta përshkruar me ngjyra më të zbutura apo për ta keqinterpretuar 4 Qershorin gjatë 30 viteve të fundit, që nga momenti i shkrepjes së plumbit të parë atë ditë, legjitimiteti i regjimit u komprometua. Asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë.
Më 4 qershor, transmetimi i drejtpërdrejtë 24 orësh i CNN-it përcillte ngjarjen dhe zhvillimet e saj për çdo audiencë që mund të kapte sinjalin e saj. Unë i ndoqa nga Nju Jorku. Shikuesit në Nju Jork ndoshta panë një version më të plotë të incidentit sesa familja ime në Pekin. Në Nju Jork, unë organizova dhe mora pjesë në shumë demonstrata solidariteti me studentët në sheshin “Tiananmen”, protestuam përpara Konsullatës Kineze dhe u bëmë pjesë e një greve urie në Kombet e Bashkuara. Përse një fuqi politike përpiqet të shtypë realitetin? Gjithmonë e kam vrarë mendjen për frikën që kanë regjimet totalitare nga faktet. Si një disident politik, këmbëngul të kërkoj të vërtetën dhe t’u rezistoj përpjekjeve për të më ndryshuar mënyrën sesi unë i mbaj mend ato që ndodhën. Sepse faktet qëndrojnë në themel të mënyrës se si e shoh unë botën. Mbështetja e realitetit është një parakusht për funksionimin e mendjes. Përndryshe, bota para nesh do të ishte e çrregulluar dhe kaotike; një botë e çmendur.
Pse regjimet autokratike dhe totalitare, në fakt shumica e formave të pushtetit, kanë frikë nga faktet? Arsyeja e vetme është për shkak se ato e kanë ndërtuar pushtetin e tyre mbi themele të padrejta. Pasi të vërtetohen faktet, drejtësia do të rivendoset. Dhe kjo është frika më e madhe e të gjitha regjimeve të fuqishme. Kjo nuk është e vërtetë vetëm në rastin e Kinës, Koresë së Veriut, apo shumicës së shoqërive jo demokratike, por edhe për disa shoqëri me korniza demokratike. Kur sjell ndërmend përvojën e informatorëve si Edward Snowden, Chelsea Manning ose Julian Assange, më kujtohet koha kur jetoja në një shoqëri totalitare që shtypte dhe u jepte fakteve ngjyra të tjera, krijonte zona ku nuk mund të lëvizje dhe ia kishte frikën zbulimit publik të gjërave. Edhe në qoftë se jeta e një brezi të tërë është fshirë, asnjë burg dhe asnjë lloj gënjeshtre ose censure nuk mund të fshijë apo të fshehë ato që vërtet kanë ndodhur. Kjo është arsyeja përse kujtesa - individuale dhe ajo kolektive - është një pjesë kaq e rëndësishme e qytetërimit. Të heqësh kujtesën e së shkuarës është si të vjedhësh atë që mbetet nga një individ, sepse e kaluara jonë është gjithçka që kemi. Pa të, nuk ekziston një shoqëri apo një komb i civilizuar. Çdo përpjekje për të shkatërruar, zhdukur ose shtrembëruar kujtesën është akt i një pushteti të paligjshëm.
Kina është një shoqëri pa qytetarë. Ajo është e dominuar nga PPK. Edhe sot, pas 70 vitesh në pushtet, qeveria ende nuk i beson popullit të saj: 1.4 miliardë nuk kanë pasur kurrë në këto 70 vjet mundësinë për të votuar për drejtuesit e tyre. Si rezultat, nuk ka liri të fjalës dhe informacionit. Kujtimi i së kaluarës është pronë individuale. Detajet e saj janë venat që mbajnë gjak në trup, duke i dhënë jetë të vërtetës. T’i mohosh ato është njësoj si të zhdukësh njerëzimin. Lumturia, dhimbja, pasuria ose varfëria janë gjithçka që kemi në posedim. Pasi kjo të na merret, thjesht nuk kemi të ardhme: kur nuk ka të shkuar, fjala "e ardhme" e humbet kuptimin.
Kur flasim për të shkuarën dhe për faktet, është thelbësore ta theksojmë rëndësinë e lirisë së fjalës. Kur ndryshohen faktet, liria e fjalës nuk ekziston dhe nuk ka kuptim, sepse kjo liri nuk mund të ekzistojë nëse ajo nuk kuptohet, nuk ka vizionin, emocion dhe interpretimin e një individi. Ajo që ne e quajmë drejtësi sociale nuk mund të ekzistojë kurrë pa diskutim të hapur në sferën publike, sepse të qenët i drejtë dhe drejtësia si koncept janë të nevojshme për mirëqenien publike dhe për të ruajtur harmoninë e një shoqërie. Sa herë drejtësia sociale mungon, do të ketë kriza dhe tragjedi. Kjo është arsyeja pse ne kapemi fort pas fakteve dhe nuk pranojmë të harrojmë. Kjo është mënyra se si ne e përcaktojmë mendjen e një individi dhe pse duhet ta mbrojmë dinjitetin e qenies njerëzore.
Ajo që ndodhi më 4 Qershor nuk është thjesht një çështje kineze. Nuk është thjesht një ngjarje që ndodhi 30 vjet më parë. Padrejtësia nuk ka kohë të përcaktuar. Ajo na përndjek dhe ndikon në gjendjen tonë mendore deri në ditën kur të bëhet drejtësi.
Në të njëjtën kohë, toleranca ndaj padrejtësisë dhe informacioni i shtrembëruar me qëllim është një akt inkurajimi dhe bashkëpunimi. Një tolerancë e tillë lejon që regjimet autoritare të kapërcejnë çdo vijë të kuqe. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi pas 4 Qershorit, kur Perëndimi pranoi arsyetimin e serviur, sipas të cilit shoqëria kineze do të bëhej më demokratike, pasi të pasurohej. Kina është bërë më e pasur dhe më e fuqishme në skenën botërore, por kurrë nuk është maturuar në pluralizëm apo demokraci. Ajo vazhdon të refuzojë vlerat themelore të hapjes, drejtësisë sociale, konkurrencës së ndershme dhe lirisë. Të gjithë do ta paguajmë çmimin për këtë dështim. / The Guardian / Përgatiti: Gazmira Sokoli /
Ai Weiwei është një artist bashkëkohor, aktivist dhe avokat i reformave politike në Kinë



